Lidhje

Festa e Halloween çliron tensionet e votuesve amerikanë


Rreth një javë përpara ditës së zgjedhjeve, shumë amerikanë ndjehen të lodhur prej fushatës së zgjatur presidenciale dhe thonë se nuk kanë besim të lartë tek asnjëri nga kandidatët. Festat me kostume komike dhe paradat për Halloween u kanë dhënë një mundësi për të çliruar këto tensione.

Në vend që të vishen me kostume shtrigash dhe vampirash, shumë amerikanë po vishen si Hillary Clinton dhe Donald Trump gjatë aktiviteteve për festën e Halloween-it. Në festimet e një ishulli në Florida, njerëzit tallen me të dy kandidatët ndërsa parakalojnë nëpër rrugë.

Festimet po shërbejnë si një çlirim i tensioneve nga fushata elektorale. Shumë njerëz kanë votuar herët që të mbarojnë punë.

“Mendoj se janë njësoj të gjithë. Thonë se do të përmirësojnë gjërat dhe asgjë nuk bëhet. Unë votova sidoqoftë pasi është e rëndësishme të më dëgjohet zëri,” thotë​ një​ votues.

Por, disa njerëz në zona të dëshpëruara industriale, si në Ohio, shpresojnë se zoti Trump mund t’u ringrejë jetesën.

“Ai është tani e vetmja shpresë për vendin,” shprehet një​ votuese.

Zonja Clinton shkon sot në Ohio në përpjekje për të ndryshuar mendimin e tyre. Dje ajo ishte në Florida, një tjetër shtet që nuk rezulton në favor të saj.

“Nuk ka të bëjë vetëm me atë që kundërshtojmë, por edhe me atë që kemi si vizion të përbashkët, përtej partive dhe politikës, për një Amerikë me shpresë për të gjithë.”

Republikani Trump bën sot fushatë në Michigan, pasi vizitoi disa shtete perëndimore gjatë fundjavës. Ai shpreson t’i bindë votuesit se është më i besueshëm se sa rivalja.

“Hillary e nxori në shitje postin e sekretares së shtetit. Nëse do t’i jepet mundësia, do ta nxjerrë edhe Zyrën Ovale në shitje për interesa të veçanta dhe diktatorë të huaj, për këdo që do të ofrojë çmimin më të lartë.”

Kandidati Trump po ndihmohet pak ditë para zgjedhjeve nga rishfaqja e skandalit të email-it të zonjës Clinton. Gjatë një tubimi në Arizona, zoti Trump e quajti zhdukjen e rreth 30 mijë mesazheve nga serveri privat i zonjës Clinton, skandalin më të madh që nga skandali Watergate.

XS
SM
MD
LG