Lidhje

Hamasi dënon dhe ekzekuton me varje tre palestinezë


Në Rripin e Gazës, anëtarë të Hamasit thanë se kanë ekzekutuar tre palestinezë, një prej të cilëve akuzohej se kishte “bashkëpunuar” me Izraelin.

Zyrtarë të Hamasit, i cili kontrollon territorin e Gazës, thanë se tre të dënuarit – i akuzuari si agjent i Izraelit dhe dy burra të tjerë të akuzuar për vrasje – ishin varur sot në mëngjes në një “qendër sigurie”, vendndodhja e së cilës nuk u bë e ditur.

Ndihma ndaj Izraelit, ashtu sikundër edhe vrasja, nën ligjet e administratës palestineze janë shkelje që mund të dënohen me vdekje.

Hamasi tha se tre të dënuarit ishin gjykuar dhe ishin shpallur fajtorë, por nuk dha detaje mbi procedurat e ndjekura kundër tyre.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera e konsiderojnë Hamasin organizatë terroriste. Grupi militant mori kontroll të plotë të Rripit të Gazës në vitin 2007, në një ndarje të dhunshme me të moderuarit e Autoritetit Palestinez, me qendër në Bregun Perëndimor.

XS
SM
MD
LG