Lidhje

Hamdi Salihi në DC United i çmuar për golat e tij


Lojtari nga Shqipëria zë një vend të respektuar në ekipin e futbollit të Uashingtonit

Nga shkurti i këtij viti, ekipi i futbollit i Uashingtonit, DC United, ka një sulmues të ri, Hamdi Salihi. Ai është 28 vjeç, dhe ka ardhur në Shtetet e Bashkuara pas një karriere në Evropë, ku është dalluar si golshënues. Salihi është një ndër më të paguarit e ekipit DC United. Kjo, për një arsye të thjeshtë: ai di të shënojë gola.



Hamdi Salihi vjen në Amerikë nga Austria ku ka luajtur që nga viti 2007 për dy ekipe të Bundesligës austriake, në fillim me SV Ried, pastaj me Rapidin e Vjenës. Të dy ekipet austriake kanë përfituar nga golat e tij. Në Amerikë, ai ka gjetur një mjedis të ri dhe një tip të ri futbolli. Kur Zëri i Amerikës shkoi për ta intervistuar, ai ishte në stërvitje, në një fushë pranë stadiumit Robert F. Kennedy të Uashingtonit.

“Është diçka ndryshe. Futbolli këtu në Amerikë jo se ka shumë ndryshim nga mënyra e organizimit, por mentaliteti në fushë është pak më ndryshe nga ai në Evropë, është pak më i përqëndruar në aspektin fizik se sa në aspektin taktik. Por duhet të them se po bëhen hapa gjigante dhe në pak vite them se do të jetë një ndër kampionatet më të forta në botë”.

I pyetur se ku përfiton më shumë nga ana profesionale, Hamdiu thotë:

“Ne jemi evropianë vetë dhe futbollin evropian ndjekim më shumë edhe për karrierën tonë gjithsecili prej nesh do të arrijë sa më shumë në Evropë. Kam provuar të luaj në Evropë dhe tani po provoj të luaj edhe këtu dhe them se të dyja janë gjëra të veçanta që, është mirë që gjithsecili t’i provojë”.

Por pavarësisht nga ndryshimet që mund të ketë futbolli i këtushëm me Evropën, një gjë nuk ka ndryshuar tek Hamdiu. Ai edhe këtu shënon gola, që duhet të jetë gjëja më e vështirë në futboll.

“Të shënosh gola nuk është e lehtë në asnjë vend. Të shënosh gol në stërvitje është e vështirë e jo më në një ndeshje futbolli. Por këtu në Amerikë, përqendrimi është më tepër në aspektin fizik dhe golat duhet t’i bësh më tepër individualisht, me aftësitë e tua dhe është më e vështirë kështu se sa me ndihmën e ekipit. Golat janë të vështirë gjithandej. Njësoj është, është bukur të shënosh gol”.

Në të vërtetë, DC United e ka blerë Hamdiun për golat e tij. Sipas shtypit, paga e tij vjetore është diçka më pak se 488 mijë dollarë. Menaxheri i klubit DC United është Ben Olsen, ish futbollist i njohur në Shtetet e Bashkuara.

“Hamdiu është një lojtar i shkëlqyer, sidomos një golshënues i shkëlqyer. Ai na duhet në ekip. Ai ka patur një ndikim të madh te skuadra dhe te liga.”

Sipas menaxherit të klubit, megjithëse Hamdiu erdhi pak me vonesë në sezon, deri tani ai ka qenë shumë në formë.

“Natyrisht do ta karakterizoja atë si golshënues. Ai është personi brenda zonës që di se si të pozicionohet dhe të gjejë rrugën e golit. Në futboll ne të gjithë e dimë se kjo është më e rëndësishmja. Prandaj ai është një lojtar i çmuar i klubit”.

Në futboll, kur flitet për nivel profesional shpesh krahasimet bëhen me Evropën, me klubet e mëdha. Por edhe ekipet amerikane e kanë ngritur ndjeshëm nivelin. Olsen komenton kështu për krahasimin me Evropën:

“Kjo është më tepër një pyetje për Hamdiun sepse ai ka luajtur në Evropë, po luan edhe këtu. Unë kam luajtur shumë pak në Evropë, në Angli si dhe këtu. Në Evropë, tifozët janë më të shumtë në numër dhe trysnia është më e madhe. Por po flas për ekipet e mëdha, Spanja, Italia, Anglia. Por ka edhe liga të tjera me të cilat ne mund të krahasohemi. Ligat tona janë mjaft mirë”.

I pyetur se ç’mendon për futbollin në Shtetet e Bashkuara, Hamdiu thotë:

“Në Evropë janë disa vende që kanë futbollin më të ndjekur dhe me cilësi më të lartë, por të mos harrojmë se ato vende e kanë filluar gati 100 vjet më përpara se sa Amerika. Amerika ka rreth 20 vjet që është krijuar si ligë profesioniste dhe për mendimin tim ka arritur në nivele shumë të larta. Me 5-6 vjet do të konkurrojë në të gjitha ligat, edhe më të mirat në Evropë, sepse çdo vit, çdo 6 muaj po vijnë lojtarë të njohur, nga ekipet më të njohura në Evropë dhe në pak vite do të jetë shumë lart”.

Hamdiu nuk është i pari lojtar i huaj që blihet nga DC United. Branko Boskovic nga mali i Zi është blerë në vitin 2010 nga ky klub. Ai luante po me Rapidin e Vjenës dhe njihet mirë me Hamdiun.

“Është djalë i mirë – thotë Branko për Hamdiun. E njohim njëri-tjetrin që prej 3-4 vjetësh dhe jam shumë i gëzuar që ai ka ardhur këtu. Është gjë e mirë që kam një të njohur këtu”.

Hamdiu thotë se nuk i ka shkëputur lidhjet me Shqipërinë megjithëse deri tani nuk ka marrë pjesë në miqësoret me tranerin e ri Gianni De Biasi:

“Kontaktet i kam mbajtur vazhdimisht dhe jam ftuar në të gjitha miqësoret që kemi zhvilluar deri tani – janë tre miqësore – por në bashkëpunim me trajnerin e kombëtares dhe me trajnerin këtu, kemi rënë dakord që në ndjeshjet miqësore mos të jem sepse ne kemi patur ndeshje këtu për kampionat dhe ato miqësore nuk kanë qenë në data të caktuara nga UEFA. Por në ndeshjet e tjera sigurisht që do të jem. Me kombëtaren dhe me Shqipërinë nuk i shkëpus asnjëherë kontaktet”.

Por çfarë i mungon kombëtares së Shqipërisë? A ka mbetur ajo atje ku ka qenë?

“Për mendimin tim, nuk mund të thuhet se kombëtarja ka ngelur atje ku ka qenë. Njerëzit në Shqipëri tani besojnë dhe çdo vit nuk dëshirojnë humbjen me një rezultat minimal siç ka qenë më përpara por ata duan fitore. Mbaj mend ndeshjen që luajtëm me Francën, ku Francës i duhej me doemos fitorja. Të gjithë ishin të mmendimit se ndeshja ishte 50 me 50 dhe mund ta fitonim. Pra, edhe me ekipet e mëdhenj njerëzit besojnë. Kjo do të thotë se kombëtarja ka arritur të krijojë diçka më të mirë, por prapë nuk është aty ku duhet të ishte, siç janë kombëtaret e tjera evropiane. Duhet të punohet më shumë me ekipet e moshave dhe të krijohet mentaliteti që tek moshat e vogla”.

Ardhja në Amerikë për Hamdiun ka një të mirë tjetër. Këtu ai ka gjetur kudo inkurajimin e komuniteteve shqiptare.

“Shqiptarët këtu më kanë ndjekur dhe ndihem vërtet krenar. Deri tani, në të gjitha stadiumet që kam luajtur këtu në Amerikë ka patur grupe shqiptarësh me flamurë shqiptarë. I kam takuar kudo sa na ka bërë të gjithëve përshtypje, edhe klubit edhe pjestarëve të tjerë të ekipit. Duhet t’i falenderoj shumë sepse që ditën e parë që kam ardhur e deri tani më kanë bërë të ndihem vërtet krenar që jam shqiptar”.
XS
SM
MD
LG