Lidhje

Analistët amerikanë: Bllokimet, kundër interesave të Kosovës

  • Keida Kostreci

Shtetet e Bashkuara e shohin me shqetësim gjendjen politike në Kosovë dhe dy njohës amerikanë të rajonit bëjnë thirrje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda institucioneve. Këshilltari i lartë i Komisionit amerikan të Helskinkit, Robert Hand dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Çështje Botërore, Edward Joseph tërheqin vëmendjen se nuk bëhet fjalë thjesht për pasojat në politikën e brendshme por tek dëmi që i bëhet Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Është diçka që e shoh me shqetësim të madh. Jam gjithashtu i zhgënjyer me mënyrën se si gjërat janë zhvilluar në Kosovë”, thotë zoti Hand.

Këshilltari i Lartë i komisionit amerikan të Helsinkit, u referohet zhvillimeve të fundit dhe veprimeve të opozitës për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi. Zoti Hand thotë se kishte menduar se pas pavarësisë dhe fillimit të funksionimit të institucioneve, do të kishte një nivel më të lartë pjekurie. Ai thotë se më e rëndësishme për të është prirja dhe drejtimi nga po shkon vendi sesa ku ndodhet aktualisht.

“Shikoj tek disa nga ndërprerjet që kanë ndodhur, dhe nga metodat me të cilat opozita po shpreh pikëpamjet e saj, se po shkon në drejtimin e gabuar dhe kjo më duket një fatkeqësi, ndërkohë që nuk di se sa mund t’i shërbejë interesit të Kosovës”.

Edhe analisti Edward Joseph i Institutit për Çështje Botërore thotë se opozita e ka gabim që vë si kusht për pjesëmarrjen në parlament, tërheqjen nga marrëveshjet me Serbinë.

“Bëhet fjalë për një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ata kanë të drejtën dhe në fakt detyrimin për të marrë pjesë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në diskutimet me Serbinë dhe kanë çdo të drejtë të nënshkruajnë marrëveshje”.

Zoti Joseph thotë se opozita mund t’i bëjë thirrje publikut dhe nëse publiku ka interes mund të protestojë, por shton se nuk është e drejtë të sabotosh dhe paralizosh veprimtarinë e qeverisë mbi këto baza.

“E kuptoj që në sytë e shqiptarëve të Kosovës kjo marrëveshje nuk është pozitive megjithatë ishte një marrëveshje për të cilën qeveria ishte plotësisht brenda të drejtës së vet për ta nënshkruar, ajo ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ka mbështetjen e aktorëve kryesorë të Bashkimit Evropian dhe të vetë Bashkimit Evropian”.

Ai tërheq vëmendjen se marrëveshja duhet respektuar si nga shqiptarët, ashtu edhe serbët.

Si zoti Hand ashtu edhe zoti Joseph thonë se puna duhet bërë brenda sistemit, brenda parlamentit dhe pikëpamjet nuk duhen shprehur nëpërmjet kërcënimit, frikësimit apo bllokimit, përndryshe ngjallen dyshime për motivet e opozitës dhe perspektivën e Kosovës.

Analistët i kujtojnë Kosovës se duhet të kenë parasysh konsideratat rajonale por edhe nevojën për mbështetje ndërkombëtare.

“Shumë prej politikanëve të Kosovës duhet të kuptojnë se nuk ekzistojnë në një vakum të plotë; ata ekzistojnë në një rajon që ka vuajtur prej dhunës dhe ku gjërat janë të vështira. Duhet bashkëpunojnë me fqinjët e tyre, të kenë marrëdhënie të mira fqinjësie me Serbinë dhe me të gjitha vendet e tjera, pasi është një progres që duhet arritur paralelisht me zhvillimin e tyre të brendshëm”.

Për zotin Joseph, hapat e opozitës krijojnë një dizavantazh nga ana praktike pasi Kosova megjithëse ka siguruar njohjen e mbi 110 vendeve, ende nuk njihet nga pesë vende të Bashkimit Evropian.

“Vendi është në rrugën e duhur, ka tashmë një marrëdhënie të zyrtarizuar me Bashkimin Evropian, që e arriti vetëm si rezultat i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë përndryshe nuk do të kishte qenë e mundur, po të kesh parasysh ndarjen brenda BE-së”.

Në Kosovë, opozita vazhdon të refuzojë të rikthehet në punimet e rregullta të parlamentit me përjashtime të veçanta për seanca kryesisht ceremoniale. Autoritetet vendase e ndërkombëtare i kanë bërë thirrje opozitës të hapë debatin në parlament, ndërkohë që presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka kërkuar opinionin e Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe.

XS
SM
MD
LG