Lidhje

Bob Hand: Institucionet në Shqipëri duhen lejuar të bëjnë punën e tyre

  • Zamira Edwards

Bob Hand: Institucionet në Shqipëri duhen lejuar të bëjnë punën e tyre

Bob Hand: Institucionet në Shqipëri duhen lejuar të bëjnë punën e tyre

Një prej ekspertëve të politikave të Ballkanit, që i ka ndjekur nga afër zhvillimet në Shqipëri është Bob Hand, këshilltar në Komisionin amerikan të Helsinkit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hand përshëndet zhvillimet e kësaj jave në Shqipëri dhe bën thirrje që procesi i cili lidhet me ngjarjet e 21 janarit 2011 në Shqipëri, të lejohet të vazhdojë deri në fund. Ai shfaq shpresën që i gjithë procesi të çojë në një besim më të madh te sistemi gjyqësor në vend. Me zotin Hand bisedoi kolegia Zamira Edwards.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, në dritën e zhvillimeve të fundit në Shqipëri, do të doja të dëgjoja reagimin tuaj lidhur me raportin e Prokurorisë për ngjarjen e 21 janarit 2011.

Bob Hand: Së pari, jam shumë i kënaqur që shikoj se është bërë përparim që po çon në arrestimin e shpresoj edhe në gjykimin e personave që mund të kenë qenë përgjegjës për vrasjet e një viti më parë. U desh një kohë e gjatë për ta bërë dhe jam i sigurt se shumë njerëz në Shqipëri presin me padurim, duke e përdorur këtë zgjatje në kohë për të kritikuar tërë procesin. Por kjo është një çështje shumë serioze dhe fakti që FBI-ja u përfshi në hetim nënkupton se hetimi është i besueshëm dhe serioz. Ne nuk mund të paragjykojmë fajin sepse të akuzuarit janë të pafajshëm deri sa të provohet faji. Por le të shpresojmë se i gjithë ky proces do të çojë në një besim më të madh te sistemi gjyqësor në Shqipëri. Prandaj mendoj se njoftimi i prokurores, dhe fakti që ambasadori amerikan u ndodh pranë saj kur u bë njoftimi, ishte një shenjë shumë e mirë.

Zëri i Amerikës: Ambasadori amerikan Alexander Arvizu mbështeti prokurorinë për një proces të pavarur dhe të çliruar nga ndikimet partiake. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Kyeministri Berisha nga ana e tij, e kritikoi prokurorinë. Si i shikoni ju këto zhvillime nga pikpamja e vëzhguesit të një vendi, ku ndarja e pushteteve dhe procesi i rregullt ligjor janë në rrënjë të demokracisë?

Bob Hand: Duhet të them se mërzitem mjaft kur vazhdoj të dëgjoj retorikë me tone të larta që sulmon individë të caktuar, qoftë Prokuroren e Përgjithshme, Presidentin apo udhëheqësin e opozitës, ndërkohë që institucionet bëjnë punën e tyre. Është e natyrshme që të ketë fërkime mes këtyre institucioneve të ndryshme, sepse ky është edhe thelbi i kontrolleve dhe balancave. Sigurisht, individë të ndryshëm mund dhe duhet të përpiqen të luajnë një rol kur drejtojnë një institucion, por në një vështrim praktik, janë institucionet që bëjnë punën dhe jo individët që sulmojnë njëri-tjetrin. Por, të ngresh akuza për grusht shteti apo të kërcënosh se do të ndjekësh ligjërisht zyrtarët pasi të jenë larguar nga posti, kjo sigurisht nuk është e dobishme. Mendoj se, duke vepruar kështu, kryeministri dhe zyrtarët e qeverisë nuk do të bëjnë tjetër veçse do të krijojnë më tepër mosbesim në aftësinë që kanë për të drejtuar Shqipërinë dhe kjo do të ishte për të ardhur keq. Pra, mendoj se në politikën shqiptare ka nevojë për shumë më pak personalizim të këtyre gjërave dhe duhet një kuptim më i mirë se këto institucione, megjithëse nuk janë të përsosura, përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe duhen lejuar të bëjnë punën. Natyrisht, unë e pranoj edhe rolin që ka qeveria për të bërë punën e saj dhe kjo duhet të respektohet. Qeveria është në pozitën e autoritetit dhe autoriteti duhet të respektohet. Por në një demokraci është e natyrshme të ekzistojnë fërkime mes institucioneve. Prandaj janë edhe kontrollet dhe balancat dhe ndarja e pushteteve. Unë e përdor shpesh këtë terminologji amerikane por mendoj se ajo universale në një sistem demokratik, për të garantuar që vullneti i shumicës të pasqyrohet në qeverisje, por që edhe të drejtat e pakicës – qoftë ajo politike apo etnike – të mbrohen. Në mes të tyre qendron sistemi juridik, i cili ka për detyrë të peshojë diferencat. Këta janë prokurorët, gjyqtarët, avokatët, të cilët kanë të gjithë rolin e tyre dhe ky rol është e nevojshme të respektohet.

Zëri i Amerikës: Kryetari socialist, Edi Rama, megjithëse e mirëpriti rezultatin e hetimeve dhe masat e menjëhershme të shpallura nga prokuroria, kërkoi që në procesin hetimor të përfshihen edhe kryeministri Sali Berisha dhe ish ministri i brendshëm, Lulzim Basha, si ata që sipas zotit Rama, dhanë urdhër për të hapur zjarr më 21 janar 2011. Cili është komenti juaj?

Bob Hand: Mendoj se përfshirja e FBI-së duhet t’i japë krejt hetimit një besueshmëri më të madhe dhe duhet të bëjë që dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike në fuqi dhe Partia Socialiste e opozitës të mbajnë një qëndrim më respektues ndaj krejt procesit se sa të angazhohen në retorikë. Përsa u përket komenteve të Edi Ramës, ai nuk është prokurori i çështjes. Ai ka të drejtë të shprehë pikëpamjen e tij por mendoj se ai duhet gjithashtu të kuptojë se të jesh në opozitë do të thotë të kesh edhe disa përgjegjësi. Ai është ende një udhëheqës politik, drejton një krah të caktuar në politikën shqiptare që ka përfaqësim në popullatën e vendit. Bashkë me këtë vjen edhe nevoja për një sjellje të përgjegjshme. Jam i kënaqur që ai e mirëpriti vendimin e prokurorisë. Do të shpresoja që veprimet e tij të njohin edhe shkallën në të cilën qeveria po bashkëpunon me këtë hetim, sepse në fakt personat në fjalë u shkarkuan nga detyra që kishin dhe u vunë nën arrest shtëpie. Nëse ka diçka konkrete që ai dëshiron të kritikojë, për shembull që hetimi nuk është aq i thellë sa duhet, kjo i takon atij ta bëjë. Por ai nuk duhet të angazhohet në retorikë e të bëjë akuza që mund të të çojnë në përfundimin se, nëse hetimet nuk shkojnë në drejtimin që dëshiron ai, atëhere diçka është gabim. Kjo, mendoj se çon në fund të fundit në përjetësimin e gjendjes së tensionuar që është krijuar përsa i përket procesit gjyqësor në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, Shqipëria ka vuajtur në të kaluarën dhe vazhdon të vuajë mjaft nga korrupsioni i madh në të gjitha nivelet. Si mund të dalë Shqipëria nga kjo gjendje, cilat do të ishin masat e domosdoshme për të dalë prej saj?

Bob Hand: Nëse do t’i përgjigjesha dot kësaj pyetjeje, do të meritoja çmimin Nobel të paqes, sepse kjo është një pyetje e vështirë. Shqipëria ka bërë një farë përparimi në luftën kundër korrupsionit, por është mjaft larg asaj që duhet të arrijë. Veçanërisht kur shikon korrupsionin në nivelet më të larta, shumë njerëz dyshojnë se ai është i thellë dhe i paprekshëm. Kur vërehet korrupsion në nivelet e ulëta dhe të mesme, edhe merren masa, por ato nuk e kalojnë këtë tavan, pra nuk përfshijnë nivelet më të larta. Duhet bërë diçka për të garantuar se askush nuk do të përjashtohet nga procesi ligjor, edhe kur kemi të bëjmë me imunitetin parlamentar. Ky proces mund të jetë i ndërlikuar nga ana ligjore, por ai duhet zbatuar në nivelet më të larta dhe nuk e kam fjalën vetëm për nivelet e larta qeveritare. Ne patëm një seancë dëgjimore javën e kaluar në Komisionin e Helsinkit lidhur me perspektivat e zgjerimit të NATO-s me vende të Ballkanit Perëndimor. Në seancë u diskutua edhe për Shqipërinë, lidhur me zhvillimet e atjeshme që kur ajo u bë anëtare e aleancës. Ishte mendimi i përgjithshëm në njërën anë se, nëse Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s, zhvillimet e vitit të kaluar do të ishin përkeqsuar edhe më tepër, por ekziston edhe shqetësimi se që prej anëtarësimit në NATO, Shqipëria nuk i ka vazhduar reformat ashtu siç duhej, ashtu siç kanë vepruar shumë vende të tjera. Në skenarin më të mirë, Shqipëria ka bërë në vend numëro madje në disa raste ka ecur prapa. Udhëheqësit shqiptarë duhet ta kuptojnë rëndësinë reale të ecjes përpara. Zhgënjimi që unë ndjej dhe ajo që e bën më të vështirë përgjigjen e pyetjes tënde është fakti se komuniteti ndërkombëtar ia ka dërguar shumë herë këtë mesazh Shqipërisë. Mendoj gjithashtu se edhe populli shqiptar duhet të ketë një zë më të fuqishëm nëpërmjet shoqërisë civile për t’ua bërë të qartë udhëheqësve të vet se veprimet e tyre nuk janë të mjaftueshme. Në seancën e Komisionit të Helsinkit u përmend gjithashtu se Shqipëria përjetoi njërin prej sistemeve komuniste më shtypëse, por krahasimi nuk mund të bëhet gjithnjë me atë kohë dhe nëse kjo përdoret si justifikim, atëhere vendi nuk do të bëjë përparimin e duhur. Nuk duhet të ketë justifikime dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të pranojë justifikime ashtu si edhe populli shqiptar nuk duhet të pranojë justifikime. Prandaj shpresoj që nëpërmjet shoqërisë civile dhe procesit politik, ndoshta më shumë njerëz që janë ngopur me mënyrën e drejtimit të Shqipërisë, do të hynin në jetën politike të vendit ose në partitë politike ekzistuese, ose duke krijuar një parti të re. E gjithë dinamika e politikës shqiptare duhet të ndryshojë për të shmangur retorikën, që mund të kthehet me lehtësi në dhunë fizike, dhe të gjitha energjitë të përqëndrohen në betejat e shkëmbimit të ideve në mënyrë që demokracia të ecë përpara.

Zëri i Amerikës: A dëshironi të shtoni diçka tjetër?

Bob Hand: Dua t’i uroj Shqipërisë ‘Gëzuar 100 vjetorin e pavarësisë’. I kam ndjekur zhvillimet në Shqipëri prej më shumë se 20 vjetësh, që është një pjesë e konsiderueshme e historisë së saj. Do të vazhdoj të punoj për një Shqipëri më të mirë dhe shpresoj që 2012-a të jetë një vit arritjesh domethënëse që të mos shikojmë më nga e kaluara dhe të mos ecim prapa.

XS
SM
MD
LG