Lidhje

Hapen portat e digave të Lumit me Borë në Australi


Hapen portat e digave të Lumit me Borë në Australi
Hapen portat e digave të Lumit me Borë në Australi

Lumi me Borë i Australisë, dikur madhështor, ka rifilluar rrjedhën e tij. Ky lum ishte shndërruar në një përrua të vogël pas devijimit të derdhjeve më të rëndësishme të tij me anë të digave, por tani uji po rrjedh sërish.

Kjo është njëra nga digat e cila bëri që Lumi me Borë, dikur madhështor, të ndalonte rrjedhën e tij.

Për dekada me rradhë lumi ishte shumë i ngadaltë për shkak të ndërtimit të katër digave të mëdha në vitet ’70. Skema Hidro-Elektrike e Maleve me Borë devijoi 99 përqind të ujit të lumit për të krijuar energji. Por tani uji po vërshon sërish në lum. Portat e digave Jindabyne u hapën për të liruar miliona e miliona tonë ujë. Ekspertët parashikojnë se forca e ujit do të krijojë një shtrat të ri të lumit, do të rifreskojë ekosistemin dhe do të rikthejë jetën në atë zonë.

Davis Harriss, është Komisioner i Ujit për New South Wales.

“Nuk mendoj se kemi përfunduar. Kemi ende shumë punë për të bërë, por ky është një fillim mjaft i rëndësishëm për ripërtëritjen e Lumit me Borë.”

Për realizimin e sistemit të digave u deshën mbi 25 vjetë dhe më tepër se 100 mijë punëtorë prej mbi 30 vendesh të botës. Ai përmban 16 diga kryesore dhe konsiderohej një kryevepër inxhinierie, por pothuajse shkaktoi zhdukjen e lumit.

Momenti i hapjes së portave të digës ishte i veçantë. Grupe njerëzish u mblodhën për të përjetuar këtë ngjarje historike, përfshi persona që kanë kryer fushata ndërgjegjësimi për dekada me rradhë në lidhje me këtë çështje.

Angel John Gallard, i Shoqatës së Lumit me Borë, përmbledh kuptimin e lumit.

“Unë jam një përgjegjës i ujit. Lumenjtë janë arteriet e Nënës Natyrë dhe ashtu si ne sëmuremi kur na mpikset gjaku apo kemi arterie të pashëndetshme ashtu sëmuret edhe Nëna Natyrë. Lumenjtë janë pjesë e një cikli ujor të gjerë dhe uji që rrjedh në shtratet e tyre nuk shkon dëm. Ai bën të mundur shtimin e peshqve që ne peshkojmë dhe me të cilët ushqehemi si dhe avullon për t’u rikthyer mbi tokë në formën e shiut.”

Hapja e portave të digave ishte rezultat i një marrëveshje me vlerë 437 milionë dollarë e vitit 2000, midis shtetit dhe qeverisë federale, në kuadrin e shqetësimeve për efektin e digave mbi mjedisin.

Tani Lumi me Borë duket se po fiton sërish madhështinë e tij të mëparshme.

Mike Kelly, Sekretar Parlamentar për Bujqësinë, Peshkimin dhe Pyjet, përshkroi ndjesinë e shkaktuar nga ngjarja.

“Unë mendoj se kjo është një dhuratë e madhe për brezat e ardhshëm pasi ata do të kenë mundësinë të shohin disa prej rrjedhave që ishin pjesë e pamjes natyrore këtu.”

Niveli i Lumit me Borë pritet të ngrihet rreth 3 metra, duke shndërruar krejt luginën.

XS
SM
MD
LG