Lidhje

Hapen portat e Misisipit për të parandaluar dëmet në Baton Ruzh dhe Nju Orlins


Hapen portat e Misisipit për të parandaluar dëmet në Baton Ruzh dhe Nju Orlins
Hapen portat e Misisipit për të parandaluar dëmet në Baton Ruzh dhe Nju Orlins

Korpusi i inxhinierëve të ushtrisë amerikane hapi një shkarkues kryesor në Lumin e fryrë të Misisipit, duke shkaktuar përmbytjen e disa mijëra shtëpive dhe sipërfaqëve të mëdha me të mbjella. Ky veprim pritet të rezultojë në dëme shumë të mëdha, duke përmbytur 8 mijë kilometra katrore këneta dhe toka bujqësore. Por hapja e portës pakëson rrezikun e dëmeve edhe më të mëdha për një popullatë më të madhe që jeton në bigjet e Misisipit.

72 kilometra në veri të kryeqytetit të Luizianës, ekspertët thonë se shkulmet e ujit nga porta e Morganxës do të sjellë ngritje e nivelit të ujrave deri në 6 metra, duke përmbytur ferma dhe biznese në një zonë që deri në shtunën ishte e banuar nga më shumë se 25 mijë njerëz. Kolonel Ed fleming i Korpusit të Inxhinierëve e quajti këtë veprim historik

"Jo vetëm që është historik për shtetin e Luizianës dhe qytetin Morganxa, por është edhe një ditë historike për vendin tonë. E sotmja është dita e parë në historinë e vendit tonë që ne kemi hapur tri porta shkarkimi”.

I fryrë nga shkrirja e dëborës dhe shirat e pranverës, Lumi Misisipi ka përmbytur tashmë qidra shtëpi dhe biznese, ka shkatërruar mijëra hektarë të mbjella me misër dhe sojë, dhe tani rrezikon të përmbytë qytete, ferma dhe rafineri në zonën nga Memfisi në Gjirin e Meksikës. Sipas përllogaritjeve paraprake, dëmet kapin shumën e një miliardë dollarëve.

Nëse protat do të ishin mbajtur të mbylluara, inxhinierët e ushtrisë thonë se dëmet në qytetet më të mëdha në jug do të kishin qënë më katastrofike. Banorët e larguar nga zona kanë thënë se shteti kishte pak zgjedhje.

"Ata thonë se 30 deri në 60 mijë njerëz ndoshta do të përmbyten, por varianti tjetër do të ishte përmbytja e Baton Ruzhit dhe Nje Orlinsit, që do të afektonte mbi një milionë njerëz dhe do t’i shkaktonte industrisë miliarda dollarë dëme".

Por ky arsyetim nuk është i mjaftueshëm për të qetësuar ata që kanë humbur ose do të humbasin shtëpitë, veçanërisht ata që nuk kanë sigurime në rast përmbytjesh.

"Për fat të keq ne nuk kemi sigurime për përmbytjet. Kjo ka qënë pakujdesi nga ana jonë. Zakonisht ne paguajmë për sigurime të tilla, por meqë nuk ndodhi gjë vitin e kaluar, ne e lamë jashtë këtë lloj sigurimi. Ne kemi patur probleme financiare dhe tani na duhet të vuajmë pasojat”.

Ekspertët thonë se banorëve do t’u duhet të paguajnë më shumë për shkak të përmbytjeve të këtij viti. Në Shtetet e Bashkuara këtë vitë është raportuar për 5 miliardë dollarë dëme nga fatkeqësitë natyrore dhe me këtë ritëm, sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave Klimatike, do të tejkalohet rekordi i vendosur në 2008-n që kapi shumën e 9 miliardë dollarëve.

XS
SM
MD
LG