Lidhje

Hapet në Kaliforni hoteli më i avancuar ekologjik


Hapet në Kaliforni hoteli më i avancuar ekologjik
Hapet në Kaliforni hoteli më i avancuar ekologjik

Los Anxhelos ka një hotel të ri luksoz, që ka tërhequr vëmendje në industrinë e turizmit dhe argëtimit. Në këtë qytet të njohur për luks dhe ekstravagancë, ky biznes i ri, i ngritur në qytezën e Santa Monikas, dallon si hoteli më i përkushtuar ndaj ambjentalizmit:

Hoteli Shore, i ngritur në bulevardin buzë oqeanit, pranë plazheve të famshme të qytetit dhe molos së Santa Monikës është bërë në vetvete një pikë tërheqëse, si hotel i prirjes së gjelbër dhe për pamjen mahnitëse në brigjet e Paqësorit.

Hoteli, pronë e familjes Farzam, ka 164 dhoma të ndërtuara me parametra që i tejkalojnë ndjeshëm praktikat e deritanishme të bizneseve të gjelbra.

Hoteli është i ndërtuar me materiale të ricikluara ose nga burime të ripërtëritshme. Menaxherët mbështesin në forma të ndryshme punonjësit që vijnë në punë me biçikletë në vend të makinës. Karriket në lobin e hotelit janë mbuluar me poliestër të ricikluar. Uji i pishinës ngrohet me energji diellore. Dhe për të kursyer ujin, janë mbjellë bimë të zonës lokale që i përshtaten kushteve klimatike të Kalifornisë së jugut dhe nuk kërkojnë ujitje të madhe shtesë. Për më tepër hoteli përdor ujë që mbledh nga shirat për nevojat e ujitjes. Pjesa më e madhe e materialeve të ndërtimit janë të ricikluara ose të prodhuara në zonën përreth, pra me rreze të shkurtër transporti.

Hoteli u ndërtua në bazë të projektit të firmës Gensler Architecture që ka krijuar një mjedis të rehatshëm dhe të hareshëm pushimi me ngjyra të çelura që i përshtaten rivierës së Kalifornisë dhe me mobilim prej druri. Arkitekti Bryan Oakes ishte në ekipin projektues të hotelit:

“Pjesa e jashtme e ndërtesës është e rrethuar me një shtresë çeliku, muret janë kryesisht prej betoni dhe në dhomat e klientëve ka dritare me panele të mëdha xhami, pra janë materiale me jetëgjatësi të madhe”.

Hoteli ka në funksionim një sistem të centralizuar për të kontrolluar konsumin e energjisë, i cili rregullon automatikisht ndriçimin dhe temperaturën në dhoma kur ka njerëz brenda. Që nga sipërfaqet e tavolinave, tek veshjet e mureve në dhoma, materialet janë zgjedhur të cilësisë së lartë për të mos çliruar kimikate të dëmshme për klientët apo për mjedisin. Pronarët janë kujdesur që edhe shampot dhe sapunët në banjo të jenë sa më të padëmshëm për natyrën. Por përkushtimi i kalon edhe parametrat e hotelit. Punonjësit përpiqen që kulturën e punës në hotel t’ua përcjellin edhe klientëve:

“Klientët vijnë tek punonjësit tanë me pyetje të ndryshme dhe ne u sugjerojmë opsione, si tregjet fshatare, sallone bukurie apo restorante që ndjekin praktika të gjelbra”.

Hoteli Shore është gjithashtu i pari në Kaliforni që ka vënë në zbatim një program të avancuar që mundëson uljen e konsumit të energjisë në periudhën më të ngarkuar për rrjetin:

“E veçanta e këtij hoteli është se u dërgon klientëve automatikisht sinjale përmes internetit për çmimin e njësisë së energjisë në periudha të ndryshme konsumi. Kur është periudha e konsumit të lartë, programi automatikisht aktivizon strategji për të kursyer energji”.

Përveç përkushtimit ndaj mjedisit dhe praktikave të gjelbra, klientët gjejnë në këtë hotel edhe një personel shumë të kualifikuar dhe të kujdesshëm dhe pamje magjepëse të Oqeanit Paqësor. Për ata që kanë rastin të kalojnë disa ditë në Kaliforninë e jugut, hoteli Shore ofron dhoma me çmimin 250 dollarë për natë.

XS
SM
MD
LG