Lidhje

Hapet në Shqipëri Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve


Hapet në Shqipëri Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve

Hapet në Shqipëri Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve

Autoritetet shqiptare dhe diplomatë amerikanë përuruan sot Qendrën e Shërbimit të Tatimpaguesve për Tiranën, e cila pritet të trajtojë gjysmën e bizneseve të Shqipërisë. Kjo qendër shërbimi është vizituar dhe ka ndihmuar rreth 50 mijë biznese në tre muaj, duke rritur transparencën dhe komunikimin mes palëve.

Kryeministri Sali Berisha tha se projektet që Shqipëria ka realizuar në bashkëpunim me Programin Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, me USAID dhe qeverinë amerikane “janë edhe reformat më të thella me ndikimin më të madh në ekonominë private dhe administratën publike”. Ai tha se qendra e regjistrimit të bizneseve, tenderimet elektronike, qendra e licensave dhe tani qendra e shërbimit ndaj tatimpaguesve përmirësuan klimën e biznesit dhe lirinë e tregut, rritën transparencën dhe mbledhjen e taksave, pakësuan mundësitë e korrupsionit.

“Me projektin e mbështetur nga USAID - tha zoti Berisha - Shqipëria u bë vendi i parë me prokurime elektronike në rajon, dhe doli nga listat e vendeve me korrupsion administrativ, kryesisht edhe për shkak të projektit one stop shop për regjistrimin e biznesit”.

Ndërsa ambasadori i SHBA në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, tha se kjo qendër e re e tatimpaguesve është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm mes qeverisë shqiptare dhe Programit Prag të Korporatës Sfida e Mijëveçarit.

“Kjo është një nga përurimet e shumta që janë bërë nga ky bashkëpunim. Gjatë 4 viteve të fundit - tha ambasadori Arvizu - SHBA dhe qeveria shqiptare ka zhvilluar dhe realizuar me sukses një seri reformash në sektorin e administratës publike, për të përmirësuar mjedisin e biznesit, për të rritur invesimet dhe për të luftuar krimin financiar dhe korrupsionin. Suksesi i këtyre reformave është pranuar gjersisht nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, OKB dhe dhjetëra sondazhe e anketa të vetë bizneseve shqiptare e të huaja, gjë që tregon se po përmirësohet zhvillimi ekonomik dhe politik i Shqipërisë. Qeveria e SHBA mbështet fuqishëm të gjithë reformat që janë ndërmarrë nga ky projekt, nga qeveria shqiptare, komuniteti shqiptar i biznesit dhe publiku i gjerë”.

Projektet përmbanin po ashtu edhe kompjuterizimin e gjithë marrëdhënieve të biznesit me zyrat e taksave, ku ata dorëzojnë rregullisht deklarata tatimore në mënyrë elektronike. Kjo përmirësoi edhe punën e zyrave rajonale të taksave, ta studimeve dhe kontrollit financiare si edhe shmangu kontaktin korruptiv mes biznesmenëve dhe zyrtarëve.

XS
SM
MD
LG