Lidhje

Lumturia, një e drejtë njerëzore

  • Faiza Elmasry

Në mbretërinë e Bhutanit, matja e cilësisë së jetës shprehet me incialet GNH, që do të thotë Lumturia Kombëtare Bruto. Në vitin 2012, ky vend i vogël i Himalajeve, e bindi Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të caktojë Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë. Është një mundësi që i jepet zyrtarisht njerëzve të shqyrtojnë faktorët që i bëjnë ata të lumtur. Në këtë rapor të Faiza Elmasry-t, emocioni i lumturisë është kaq i rëndësishëm për mirëqenien tonë, saqë etërit tanë, themeluesit e Shteteve të Bashkuara, e konsideronin ndjekjen e lumturisë një të drejtë të dhënë nga Zoti.

Çfarë është lumturia? Ne e kuptojmë kur e përjetojmë atë, por nuk ka një mënyrë të thjeshtë për përcaktimin e saj, thotë Joseph Panetta, zëdhënës i revistës "Live Happy", "Jeto i lumtur". Megjithatë, shton ai, ka disa komponentë që përcaktojnë lumturinë.

"Mes tyre janë marrëdhëniet pozitive midis njerëzve, një këndvështrim pozitiv i jetës… Po ashtu lumturia lidhet me angazhimin në jetën e komunitetit, me ato ç'ka ndodhin rreth jush dhe kuptimi që kanë ato për ju. Kjo e fundit është ndoshta gjëja më e rëndësishme. Kur një person ndjen se ajo që po bën ka një kuptim të vërtetë, që e tejkalon vetveten, ai fiton një ndjenjë shumë më pozitive kur e kryen atë veprim."

Të jesh i lumtur, thotë Joseph Panetta, është diçka e nevojshme për shëndetin.

“Ne e dimë nga shkenca se njerëzit i realizojnë arritjet më të mira kur janë të lumtur. Njerëzit me një prirje pozitive dhe optimiste sigurojnë të ardhura më të larta, ata përcaktojnë dhe arrijnë synime më agresive dhe kanë pak stres. Ata janë më energjikë. Ata po ashtu e marrin veten nga sëmundjet më shpejt dhe është interesante, por ata jetojnë më gjatë."

Producenti i filmave Adam Shell është dakord me këtë mendim.

"Gjithmonë kam patur prirjen të ndjehem i lumtur dhe në rastet më të shumta, edhe kur kaloj probleme, përsëri bëhem i lumtur dhe i kënaqur. Më pëlqen shumë të qesh dhe kjo është një nga përparësitë e jetës sime."

Shell ka udhëtuar në të gjithë Amerikën, në kërkim të njerëzve vërtet të lumtur, për dokumentarin e tij "Pursuing Happiness", "Në kërkim të lumturisë".

“Ne biseduam me të gjithë njerëzit që takuam në rrugë dhe i pyetëm, "Kush është personi më i lumtur që njihni?" … Dhe morën përgjigje të mahnitëshme."

Ata gjetën më tepër se 360 njerëz të lumtur.

“Intervistuam njerëz në të 90-at; një grua në fakt ishte 104 vjeç. Intervistuam njerëz të tjerë, 2 prej tyre që mezi flisnin, por që kishin pikëpamjen e tyre për lumturinë dhe gjithshka tjetër në mes" .

Producenti Adam Shell thotë se këta njerëz nuk i linin vështirësitë e jetës t'ia merrnin lumturinë.

“Një burrë që jeton në Cincinnati të Ohio-s, kishte humbur të dy duart deri tek bërryli, në një aksident 25 vjet më parë. Pastaj i vdiq gruaja nga kanceri dhe ju desh ta rriste vajzën vetë. Ai dukej si një njeri, të cilit i kishte shkuar gjithshka keq në jetë. Por gjatë gjithë kohës që po përjetonte këto fatkeqësi, ai ruajti standarte të larta në qëndrimin e tij, si dhe nga ana emocionale. Ai ishte gjithmonë i lumtur. Bënte shaka dhe shihte anët pozitive të jetës."

Njerëzit, thotë Shell nuk janë të lumtur, ngaqë janë të suksesshëm, ata e arrijnë sukesin, ngaqë janë të lumtur.

“Jeta është e vështirë në çdo aspekt, pavarësisht se ku jeton dhe si jeton. Unë mendoj se gjithshka ka të bëjë me qëndrimin, se si e shikon botën. Kur ndodh diçka e keqe, duhet ta kapërcesh atë; emocionet negative, frika, humbja dhe dhimbja. Asnjë nga njerëzit që kemi intervistuar nuk i ka mohuar këto emocione, por varet nga qëndrimi që mban ndaj tyre, thua, "OK, e kalova këtë që më ndodhi, tani dua të kthehem prapë tek vetja ime. Tani dua t'i kthehem përsëri jetës që unë dua të kem."

Adam Shell do të shfaqë segmete nga dokumnetari i tij në Nju Jork, më 20 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, për t'i nxitur njerëzit të përqëndrohen tek gjërat që i bëjnë ata të lumtur.

Ky është edhe synimi i fushatës “Vepra Lumturie" nga revista "Jeto i Lumtur", thotë Joseph Panetta.

“Fushata “Vepra Lumturie" do të krijojë mure të lumturisë në qytetet kryesore në mbarë vendin. Këto mure lumturie janë menduar në mënyrë të tillë, që njerëzit të lënë aty mesazhe për lumturinë e tyre dhe çfarë bëjnë për ta ndarë dhe përhapur atë në mbarë botën. Lumturia shtohet, kur e ndan atë me të tjerët, kur e përhap atë. "

Para së gjithash, thotë zoti Panetta i revistës " Jeto i Lumtur ", lumturia është ngjitëse, atë mund ta kremtosh në çdo ditë të vitit.
XS
SM
MD
LG