Lidhje

ILDK kallëzon ish deputetin Harasani


Ish anëtari socialist i parlamentit deri në 2012, dyshohet për deklarime të rreme, kontrata fiktive, fshehje të pasurisë dhe transferta të dyshimta bankare në shumën 2.6 milion dollarë

Në Shqipëri Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKP, njoftoi sot se ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj ish deputetit socialist Andis Harasani. Sipas ILDKP-së, zoti Hasani dyshohet për disa vepra penale që nga “falsifikimi i dokumentave”, “fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë” deri te pastrim parashë”.

Inspektoriati shpjegon në një komunikatë për shtyp se në përfundim të kontrollit të plotë të deklaratave të interesave private zotit Harasani, për funksionet Drejtor i KESH-it (2003-2005) dhe deputet i parlamentit, për periudhën kohore (2005 – 2012), “rezultuan deklarime të rreme, kontrata fiktive e të falsifikuara, fshehje të pasurive dhe transfertave bankare, të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, në banka brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 2.600.000 Usd”.

Dy vjet më parë emri i zotit Harasani, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u përmend në shtyp, pas disa hetimeve gazetareske, se kishte regjistruar në emrin e tij, në vitin 2007, një kompani në parajsën fiskale të Ishujve Virxhin të Britanisë, ndërsa ajo nuk figuronte në deklaratat e tij të pasurisë.

Pak kohë më parë ILDKP-ja denoncoi dhe një tjetër politikan shqiptar, ish ministrin e Financave Ridvan Bode duke hedhur dyshime mbi burimet e pasurisë së tij dhe familjes së vet. Zoti Bode hodhi poshtë akuzat, ndërsa prokuroria ka hapur ndërkohë dhe një hetim lidhur me këtë rast.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG