Lidhje

Nga nxënëse e pastrehë, në Harvard

  • Zëri Amerikës

Historia frymëzuese e një vajze nga Karolina e Veriut që i kapërceu vështirësitë e shumta për të arritur sukses

Për vajzën e re nga Karolina e Veriut, rruga drejt suksesit është shoqëruar nga sakrificat, por edhe nga një këmbëngulje e paepur dhe ndihma e komunitetit që e rrethonte. Le të ndjekim materialin për të mësuar më shumë për vajzën e pastrehë që ia doli të pranohet në Harvard.

Familja e Dawn Loggins, gjithmonë kishte pasur të ardhura të pamjaftueshme. Prindërit ishin të papunë dhe ata ishin nxjerrë nga banesat e tyre, disa herë.

“Kisha shumë mungesa për shkak të lëvizjeve”.

Por një ditë Dawn, 16 vjeçare u kthye në shtëpi dhe të gjithë kishin ikur.

“Prindërit nuk gjendeshin gjëkundi. Më pas mora vesh që kishin shkuar në Tenesi. Nuk i kontaktoja dot. Nuk e kisha idenë se ku ishin dhe telefoni u ishte ndërprerë”.

E pastrehë dhe e vetme, ajo vazhdoi shkollën dhe mori një punë si pastruese në shkollë. Megjithatë vazhdoi me klasat e avancuara.

“Më duhej t’i bëja detyrat nën dritën e qiriut dhe të përdorja stufë me dru, e vetmja mënyrë për t’u ngrohur vetë dhe për të ngrohur një supë të gatshme”.

Ajo thotë se suksesi në mësime e ndihmoi të përballonte gjendjen e saj.

“Ma hiqte mendjen nga gjërat e tjera. Kur bëja detyrat nuk kisha pse të mendoja për problemet, kisha një objektiv dhe përqendrohesha tek ai dhe kur e arrija ndjehesha e plotësuar”.

Puna e saj po shpërblehet. Dawn është pranuar në Harvard dhe ka ndër mend të studiojë për biologji dhe që tani ka filluar ta shpërblejë ndihmën që ka marrë, duke hapur një organizatë që të ndihmojë studentë të tjerë në nevojë.

“E di që do t’ia dal dhe ka dhjetra nxënës vetëm në shkollën tonë që janë të pastrehë”.

Drejtori i shkollës Aaron Allen e sheh të ardhmen e ndritur të Dawn përtej Harvardit.


“Ajo do të diplomohet po përveç kësaj, lidhjet që do të krijojë, do t’ia shtojnë suksesin dhe do ta rrisin kontributin e saj”.

Ai thotë se ajo është e para nxënëse në historinë e shkollës Burns që pranohet në Harvard. Një frymëzim për shokët e saj dhe gjithë komunitetin.

"Dua që gjithkush ta kuptojë që mund t’i realizosh ëndrrat, nëse përpëiqesh”.

Harvardi mbulon të gjitha shpenzimet për studimet dhe jetesën e saj dhe ka premtuar t’i gjejë një punë në universitet.

XS
SM
MD
LG