Lidhje

Identifikimi i kancerit të lëkurës

  • Zllatica Hoke

Shkencëtarët në Finlandë kanë prodhuar një aparat fotografik, i cili mund të ndihmojë me zbulimin e kancerit të lëkurës në fazat e para të tij, kur nuk arrin të diktohet thjesht me sy. Ata thonë se provat e para klinike me aparatin hiperspektral dhe super të lehtë janë premtuese.

Mjekët në Spitalin Qendror të Universitetit të Helsinkit po provojnë këtë aparat të ri dore për aftësinë e tij për të zbuluar kancerin e lëkurës në fazat e para – diçka që nuk mund të arrihet nga teknologjia e tanishme.

Hulumtuesit thonë se aparati fotografik mund të kapë imazhe të zmadhuara spektrale të zonaës së dyshuar duke nxjerrë në pah dallimet midis lëkurës së shëndetshme dhe lëkurës që mund të jetë prekur nga kanceri.

Mjekja Noora Neitaanmaki-Perttu thotë se zonat kanceroze shpesh janë të rrethuara nga zona të tjera problematike që nuk janë të dukshme.

“Përreth zonave të prekura nga kanceri, mund të ketë të tjera ku dëmtimi sapo ka filluar dhe kjo është ajo që ne duam të identifikojmë me anë të imazheve hiperspektrale. Ne duam të shohim të gjitha zonat e dëmtuara, në mënyrë që t’i identifikojmë ato para trajtimit. Dhe pas përfundimit të trajtimit ne marrim foto të të gjithë zonave përsëri për të parë nëse kanë mbetur ndonjë zonë e dyshimtë.”

Aparati prodhon imazhe që paraqiten në një grafik tre dimensionale, duke treguar tërë shtresat e lëkurës dhe llojet e ndryshme të indeve. Imazhet pastaj përpunohen në një kompjuter i cili identifikon pozicionin e saktë dhe madhësinë e tumorit.

Aparati u prodhua në Qendrën për Hulumtime Teknike VTT në Finlandë dhe testet klinike u zhvilluan në disa spitale në vend.

Ilkka Polonen, një student për mjekësi në Universitetin e Jyvaskylas thotë se mjeti është një aparat fotografik dixhital i sofistikuar.

“Aparati hiperspektral është mjaft i ngjashëm me një aparat fotografik dixhital të zakonshëm, por aparati fotografik hiperspektral i bën fotot me një kapacitet shumë më të lartë.”

Hulumtuesit thonë se aparati i ri diagnostikues ka avantazhe mbi teknikat e mëparshme, si spektroskopia Raman ku një monstër e lëkurës ndriçohet nga një rreze lazer.

Sipërfaqja e madhe që arrin të fotografojë aparati,– 12 centimentra katrorë – e mundëson atë për të zbuluar me shpejtësi dhe të gjejë vendin e zonave kanceroze në pjesë të mëdha të lëkurës. Ai është gjithashtu në gjendje të zbulojë kufijtë e tumoreve të përcaktuar dobët në lëkurë, të cilët mund të zhvillohen në kancer. Kapja e imazheve në imtësi dhe heqja me operacion e gjithë zonave të rrezikshme mund të zvogëlojnë shanset që një tumor të rikthehet.

Nëse testet klinike dalin me sukses, do të duhen deri në 10 vjet përpara se aparati mund të prodhohet për përdorim në masë.

XS
SM
MD
LG