Lidhje

Pasojat e problemeve të buxhetit tek kërkimet shkencore

  • Carol Pearson

Mbyllja e pjesshme e qeverisë dhe shkurtimet e fondeve ndikojnë negativisht tek aftësitë e Shteteve të Bashkuara tek mjekësia

Qeveria amerikane po i rikthehet punës, por mbyllja e pjesshme, shkurtimet në buxhet dhe shkurtimet automatike që hynë në fuqi para disa muajsh, kanë shkaktuar pasoja tek agjencitë shëndetësore dhe studiuesit dhe kanë prekur cilësinë e studimeve mjekësore në Shtetet e Bashkuara.

Mbi një javë pasi shumë punonjës të qeverisë federale amerikane u detyruan të mos punojnë, Senati u informua për ndikimin e mbylljes së pjesshme tek studimet shkencore nga Alan Leshner, kreu i një orghanizate shkencore.

“Kjo mbyllje u ka dhënë një goditje të rëndë institucioneve shkencore amerikane”.

Mbyllja erdhi disa kohë pas shkurtimeve automatike, që iu shtuan shkurtimeve në buxhet.

Dr. Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetit thotë se ndikimi i këtyre shkurtimeve kërcënon reputacionin shkencor të Amerikës.

“Ne kemi qenë gjithmonë udhëheqës në kërkimet biomjekësore. Kur pakëson një buxhet që është i tkurrur dhe nuk e shoqëron me masa për inflacionin për disa vjet, ka disa gjëra që mund të ndodhin. Disa janë bërë realitet dhe disa do të bëhet realitet me pasoja negative në vitet e ardhshme”.

Dr. Fauci thotë se disa nga pasojat e menjëherëshme përfshijnë ngadalësimin e provave me vaksinat dhe krijimin e ilaçeve të reja. Në planet afatgjata, mungesa e fondeve për projektet kërkimore, do të thotë se më pak shkencëtarë do të kërkojnë karrierë në fushën e studimeve mjekësore.


“Mund të jemi duke humbur një pjesë të një brezi që mund të ishte në të ardhmen një grup i ri, krijues kërkuesish”.

Institutet Kombëtare të Shëndetit janë të angazhuara në shkallë ndërkombëtare në studime për Sidën, tuberkulozin dhe sëmundje të tjera. Një tjetër agjenci shëndetësore, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ndihmon vendet që të mbajnë nën kontroll sëmundje si gripi.

Dr. Thomas Frieden drejton këtë qendër dhe një fjalim i kohëve të fundit që ai dha në Uashington, u shfaq në YouTube.


“Shpërthimi i një epidemie, na kujton se të gjithë jemi të lidhur nga ajri që thithim, se një epidemi diku përbën rrezik gjithkund”.

Gjatë mbylljes së pjesshme të qeverisë, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve, ndërpreu vëzhgimin e epidemive të gripit dhe të varianteve të panjohura të sëmundjeve. Gripi është një nga sëmundjet më vdekjeprurëse.

Edhe pas kthimit në punë, punonjësit në Institutet Kombëtare të Shëndetit dhe Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve, nuk do të jenë në gjendje që të zëvendësojnë fondet e studimeve të pafinancuara, apo mungesës së vendeve të punës. Si rezultat, disa jetë njerëzish nuk do të shpëtohen, vuajtjet nuk do të zbuten dhe Amerika mund të humbasë vendin si udhëheqëse në studimet mjekësore.

XS
SM
MD
LG