Lidhje

Ligji për kujdesin shëndetësor mbahet në fuqi


Reagime të ndryshme për vendimin e Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara arriti në përfundimin se Ligji për Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm, një nga politikat kryesore të politikës së brendshme të Presidentit Barack Obama, është kushtetues. Pjesërisht, ligji parashikon që kompanitë e sigurimeve shëndetësore të përfshijnë kujdesin parandalues për njerëzi e sëmurë. Ligji po ashtu parashikon që të gjithë amerikanët të kenë sigurim shëndetësor.

Vendimi u prit me brohoritje në shkallët e Gjykatës së Lartë.

Disa orë më pas edhe Presidenti Obama e përshëndeti vendimin.

“Ata rikonfirmuan një parim themelor: që këtu në Amerikë, në vendin më të pasur të botës, asnjë sëmundje apo aksident nuk duhet të shkatërrojë financiarisht një familje”.

Disa njerëz para Gjykatës së Lartë dje nuk ishin dakord.

“Nuk besoj se qeveria duhet të ndërhyjë në jetën e njerëzve, ose në sektorin privat”.

Por vendimi është lajm i mirë për David Zoltan nga Çikago i Ilinoit.

“Kur u hartua ligji, një nga masat që parashikonte ishte për pacientë me rrezikshmëri të lartë, njerëz që janë të sëmurë para se të kërkojnë sigurime, si unë. Prej vitesh unë kam vuajtur nga diabeti dhe jam pa sigurime që prej pak më shumë se dy vjetësh”.

Përmes Ligjit për Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm që u miratua në vitin 2010, Zoltan thotë se ai merr subvencione për sigurimet, dhe pagesa i ulet nga 700 dollarë në 150 në muaj.

Gjykata e Lartë ishte e ndarë me 5 anëtarë pro dhe 4 kundër. Shumica u bë e mundur nga vota e kryetarit të Gjykatës, John Roberts një nga konservatorët e trupit gjykues. Ligji përfshin një të ashtuquajtur mandat individual të debatueshëm që u kërkon amerikanëve të kenë sigurime, ose të paguajnë një gjobë.

Gjykata tha se kjo gjobë është e ligjshme dhe do të jetë në formë takse.

Ky lloj argumentimi nuk u prit mirë nga udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte premtuar që kjo paketë nuk ishte taksë, por ky ligj është një taksë. Ligji iu paraqit popullit amerikan mbi një pretendim të rremë”.

Rivali republikan i Presidentit Obama, Mitt Romney e kritikoi gjithashtu vendimin.

“Siç mund ta merrni me mend, nuk jam dakord me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe jam dakord me kundërshtarët. Atë që nuk e bëri gjykata ditën e fundit të këtij sesioni, unë do ta bëj ditën e parë të mandatit, nëse zgjidhem president”.

Me vëmendjen e kthyer tek kujdesi shëndetësor, Presidenti Obama ka një shans që të nxjerrë në pah disa dispozita popullore të planit, që pjesërisht ishte mbështetur tek një plan për shtetin e Masaçusetsit, që zoti Romney e kishte mbështetur kur ishte guvernator i atij shteti.

Ky fakt e bën vendimin një fitore në shumë plane për zotin Obama, siç thotë Norman Ornstein i Institutit American Enterprise.

“Sa më shumë të përqendrohet vëmendja tek kujdesi shëndetësor, aq më shumë vendoset zoti Romney dhe republikanët në një pozicion të pakëndshëm, sepse ai është njeriu që i ka hedhur këto ide, përfshirë mandatin individual”.

Disa nga dispozitat e këtij ligji do të hyjnë në fuqi para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

XS
SM
MD
LG