Lidhje

Të reja nga trajtimi i sëmundjeve të zemrës


Një grup shkencëtarësh në Britani kanë filluar ndërtimin e indeve që mund të përdoren për shërimin e zemrës

Thuhet se zemra e thyer nuk mund të ngjitet, por një ekip bioinxhinierësh në Britani po përpiqet të bëjë pikërisht këtë. Ata po ndërtojnë inde duke përdorur qeliza që mund të injektohen në zemrën e sëmurë.

Përfytyroni mundësinë e injektimit të një zemre të sëmurë me një shtresë të re qelizash të shëndetshme.

Qelizat do të nguleshin në një ind apo allçi, që do të zëvendësonte qelizat e vdekura dhe do të ripërtërinte zonat e dëmtuara të zemrës.

Këtë synon të bëjë Dr. Suwan Jayasinghe në laboratorin e tij të bioinxhinierisë në University College të Londrës. Studimi po financohet nga Fondacioni Britanik i Zemrës.

Gjatë një sulmi në zemër, mpiksja në një arterie zbraz oksigjenin dhe dëmton qelizat që aktivizojnë rrahjen e zemrës duke ndalur funksionimin e saj.

Dr. Jayasinghe dhe kolegët e tij kanë gjetur një mënyrë për përdorimin e një zorre mikroskopike që funksionon me energji elektrike, e cila është në gjendje të vendosë me saktësi një shtresë qelizash në muskujt e zemrës.

“Qelizat vendosen në një lëng dhe aktivizohen përmes një shiringe elektrike. Pastaj, kur shiringa i transporton qelizat ato prodhojnë një formë spërkatjeje të ngjashme me atë të kollës”.

Ky nuk është një proces aq i lehtë. Secila qelizë duhet të jetë në sinkronizim të përkryer me një rrjet kapilarësh për të marrë energjinë e duhur.

Pastaj së bashku këto qeliza dhe enët e gjakut duhet të vendosen me preçizion brenda një rrjeti proteinash.

Shkencëtarët e realizojnë këtë përmes një procesi të quajtur elektrospërkatje.

Elektrospërkatja nuk është metodë e re, por përshtatja e saj për këtë përdorim një ditë mund të realizojë trajtimin e suksesshëm të sëmundjeve të zemrës.

Tani kurimi i sëmundjeve të zemrës bëhet shpesh me operacion, por Dr. Jayasinghe beson se do të vijë koha kur operacionet nuk do të jenë më të nevojshme.

Qelizat kardiovaskulare kultivohen në një inkubator për më pak se një javë.

Brenda këtij mikroprocesori ka një shtresë qelizash të zemrës dhe kapilarësh të vendosur mbi një rrjetë proteinash të cilat mund të mbahen të aktivizuara për orë të tëra.

Studiuesi Vassiliss Georgiadis është në gjendje të aktivizojë këtë pajisje të sofistikuar për të mundësuar monitorimin e të gjitha qelizave të zemrës brenda mikroprocesorit. Ai mund të realizojë edhe monitorimin e secilës qelizë veç e veç.

Dr. Anastasis Stephanou është drejtues i Fondacionit Britanik të Zemrës.

Për 18 vjet ai ka studiuar dëmet që shkaktojnë sëmundjet e zemrës.

Ambicia e tij është transformimi i kësaj shtrese të hollë në një strukturë të trashë tre dimensionale e cila do të eliminonte nevojën për zëvendësimin e zemrës.

Është ende e pamundur të parashikohet ndërtimi i një zemre të tërë, por ai shpreson se ekipi i tij do të jetë në gjendje të përdorë metodën e elektrospërkatjes të zbuluar nga Dr. Jayasinghe për riparimin e zemrave të dëmtuara.

“Problemi më i madh është se duhet pritur gjatë për të parë nëse organi i donatorit përputhet me atë të pacientit. Si rezultat, këta pacientë duhet të mbahen gjallë me ilaçe të cilat nuk funksionojnë gjithmonë dhe në raste të tilla zemra nuk funksionon më duke shkaktuar vdekjen e pacientëve. Pra, në këto rrethana puna jonë është me vlerë pasi studimi merret me ndërtimin e indeve kardiovaskulare që kirurgët mund t’i përdorin për zëvendësimin e indeve në pjesët e dëmtuara të zemrës”.

Deri tani studimi ka kushtuar miliona dollarë dhe Fondacioni Britanik i Zemrës po përpiqet të mbledhë fonde për të arritur deri te faza themelore e testimeve.

Sipas Fondacionit Britanik të Zemrës, 750 mijë njerëz në Britani vuajnë nga probleme kardiavaskulare.

Ekipi në University College të Londrës shpreson që një ditë fushata “Riparimi i Zemrave të Dëmtuara” të ndihmojë në trajtimin e suksesshëm të këtyre problemeve kardiovaskulare.
XS
SM
MD
LG