Lidhje

Kosovë: Pllakë përkujtimore për hebrejtë


Në Prishtinë sot u zhvillua ceremonia e zbulimit të pllakës përkujtimore për hebrenjtë që pësuan gjatë Holokaustit nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës, si dhe për të nderuar hebrenjtë që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në Kosovë.

Vendosja e pllakës përkujtimore u bë në qendër të Prishtinës, në vendin kur dikur ngrihej sinagoga e vetme në qytet dhe e cila ishte rrënuar në fillim të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar nga regjimi komunist i kohës.

Udhëheqësit e Kosovës thanë se pllaka përkujtimore, do të shënojë edhe miqësinë e përhershme ndërmjet popullit të Kosovës dhe popullit hebre.

Gjatë ceremonisë u tha se shqiptarët kanë rrezikuar jetët e tyre në përpjekje për të shpëtuar hebrenjtë, që ndiqeshin kudo gjatë luftës së dytë botërore.

Zbulimi i pllakës është pjesë e veprimtarive që po zhvillohen gjatë kësaj jave në kuadër të Javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë. Java filloi me vendosjen e gurit të paqes në muzeun e Kosovës ndërsa do të përmbyllet me takimin e dhjetë jubilar të grupit të Mëngjesit të Lutjeve në Evropën Juglindore dhe me një konferencë ndërfetare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG