Lidhje

Rritje e antisemitizmit në Evropë


Nënpresidenti amerikan Mike Pence duke vizituar së bashku me familjen kampin nazist të përqëndrimit në Dakau
Nënpresidenti amerikan Mike Pence duke vizituar së bashku me familjen kampin nazist të përqëndrimit në Dakau

Komunitetet hebraike në Evropë thonë se ndjehen veçanërisht të cënueshme pas sulmeve terroriste në mbarë kontinentin gjatë viteve të fundit dhe kërkojnë nga qeveritë që të rrisin përpjekjet policore dhe të shërbimeve të zbulimit në mbrojtje të sigurisë së tyre.

Gjatë një takimi të zhvilluar dje në kuadrin e Konferencës së Sigurisë të Mynihut, udhëheqësit hebraikë paralajmëruan edhe për rritjen e partive populiste të ekstremit të djathtë, të cilat rrezikojnë mënyrën e tyre të jetesës.

Ata u shprehën se kalvari i popullit të tyre në Evropë do të kundrohet gjithnjë nën hijen e Holokaustit.

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence udhëtoi dje së bashku me familjen e tij drejt ish-kampit të përqëndrimit nazist, Dakau, të ndodhur disa kilometra afër Mynihut.

Kampi u çlirua prej njësive amerikane më 29 prill 1945.

Gjashtë milionë hebrenj u vranë gjatë Holokaustit. 72 vite më vonë, komunitetet hebraike të kontinentit thonë se antisemitizmi po rritet sërish.

Gjatë takimit të djeshëm në Mynih u diskutua për mënyrat se si mund të mbrohen komunitetet hebraike të Evropës. Presidenti i Konferencës së Rabinëve Evropianë, Pinchas Goldschmidt, i tha Zërit të Amerikës se siguria është shqetësimi parësor i hebrenjve në Evropë.

“Terrorizmi që kemi parë në Tuluz, në Paris, në Kopenhagen, në Bruksel, ka ndikuar tek komuniteti hebraik dhe në disa vende ka shkaktuar madje eksod”, tha ai.

Sipas një studimi të Institutit për Studimin e Politikave Hebraike, me seli në Londër, katër përqind e popullsisë hebraike në Belgjikë dhe Francë janë larguar në periudhën 2010 – 2015.

Ndërsa këto komunitete janë bërë objektiv i sulmeve terroriste, ato janë të frikësuara edhe nga rritja e së djathtës ekstreme, si p.sh. në Francë, ku udhëheqësja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, ka folur për mundësinë e ndalimit me ligj të praktikave hebraike, si rrethprerja, apo ndalimin e ushqimit kosher.

XS
SM
MD
LG