Lidhje

Komisioni i Helsinkit, seancë për krizën e refugjatëve


Komisioni i Helsinkit në Uashington zhvilloi të martën një seancë me pyetje përgjigje me zyrtarë të administratës amerikane lidhur me krizën e refugjatëve në Evropë, rolin që mund të luajnë Shtetet e Bashkuara në përgjigje të kësaj krize dhe problemet që mund të lindin në të ardhmen nga kjo dyndje masive.

Takim i Komisionit tëHelsinkit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:03 0:00

Evropa është përballë dyndjes më të madhe të refugjatëve që nga përfundimi i Luftës II Botërore. Shtetet e Bashkuara janë ndër donatorët kryesorë në përgjigje të krizës si brenda në Siri ashtu edhe në rajonin përreth. Ndërkohë Amerika ka filluar të marrë edhe refugjatë sirianë, për strehim të përhershëm në territorin amerikan.

Kryetari i Komisionit të Helsinkit Christopher Smith ngriti shqetësimin se në Evropë ndërkohë, po shfaqen fenomene shqetësuese të shkeljes së të drejtave minimale sidomos të grave dhe fëmijëve:

“Paaftësia që po tregojnë disa qeveri evropiane gjatë lëvizjes së refugjatëve në territoret e tyre, i lë shumë nga personat e zhvendosur të pambrojtur ndaj trafikantëve për shfrytëzim seksual”.

Pjesëmarrësit në seancë pohojnë se ka faktorë që nxisin këtë largim nga Siria, ndër të cilët dhuna në zonat e konfliktit dhe shpresa për një jetë më të mirë jashtë Sirisë; por ka edhe faktorë që i tërheqin ata drejt Evropës, një fenomen që mori hov sidomos gjatë kësaj vere, i shtyrë nga bindja se shumë vende evropiane po ofrojnë strehim për këtë popullatë. Një arsye tjetër ishte mungesa e fondeve të programeve humanitare në vendet e Lindjes së Mesme, ku shumë refugjatë ishin bllokuar prej vitesh.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Refugjatët dhe Migracionin, Ann Richard, e thirrur për të dëshmuar para Komisionit, shpjegon se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar fuqimisht me fonde në ndihmë të të zhvendosurve, duke dhënë muajin e kaluar një shumë shtesë prej 419 milionë dollarësh:

“Me këtë fond, shuma totale e ndihmave humanitare që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara arrin në mbi 4.5 miliardë dollarë në përgjigje të krizës humanitare që nga fillimi i konfliktit në Siri”.

Megjithatë, rreth 60% e nevojave të organizatave të ndihmave në Siri dhe përreth saj mbeten të papërmbushura për mungesë fondesh:

"Kjo nuk ndodh për mungesë fondesh nga Shtetet e Bashkuara, pasi Shtetet e Bashkuara janë një donator i fuqishëm që mbështet me fonde operacionet humanitare. Megjithëse po bëjmë më shumë se kurrë më parë, kjo nuk mjafton. Ka nevoja urgjente për donacione private, dhe nga vende të tjera,” tha zonja Richard.

Në këto kushte Shtetet e Bashkuara janë zotuar të shtojnë numrin e refugjatëve që lejojnë të futen çdo vit në Amerikë për strehim të përhershëm:

“Për vitin fiskal 2016 kjo shifër do të rritet në 85 mijë vetë, ndër të cilët të paktën 10 mijë sirianë,” shpjegon zyrtarja e Departamentit të Shtetit.

Kongresmeni Smith ngre shqetësimin e kontrollit të biografisë, nevojës për të garantuar që në këtë masë njerëzish nuk do të infiltrojnë elementë të grupeve terroriste që më pas të kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Ai kujton një shembull nga kriza e refugjatëve në Kosovë:

“Gjatë luftës në Kosovë, unë vetë shkova në kampin e refugjatëve në Maqedoni dhe më pas isha edhe në bazën ajrore në shtetin Nju Xhërsi për të pritur disa nga 4400 refugjatët që u vendosën në Shtetet e Bashkuara. Një refugjat, i quajtur Agron Abdullahu u kap dhe u fut në burg në 2008 për furnizim me armë të pesëshes së Fort Dix-it, të dënuar për komplot për sulme terroriste”.

Zyrtarja e Departamentit të Shtetit e siguron se ky është një shqetësim që merret me shumë seriozitet nga autoritetet:

“Askush nuk futet në Amerikë pa marrë dritën e gjelbër nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare. Pra vendimi për t’u dhënë këtyre individëve strehim në Shtetet e Bashkuara merret nga autoritetet amerikane dhe jo nga organizata të jashtme”.

Një shqetësim tjetër është angazhimi i Rusisë në konfliktin në Siri. Në këto kushte, shprehet ligjvënësi Joe Pitts, OSBE-ja, për vetë statusin e saj të pavarur, mjetet që ka në dispozicion dhe reputacionin që gëzon bëhet një lojtare e çmueshme në angazhimet në Siri dhe rreth saj në ndihmë të refugjatëve.

Me afrimin e stinës së ftohtë, vala e refugjatëve do të bjerë, por masa e njerëzve që janë grumbulluar në dyert e Evropës mbetet një problem real social, humanitar dhe politik si për Evropën, ashtu edhe për komunitetin global.

XS
SM
MD
LG