Lidhje

Festivali i Dritave në Helsinki


Festivali finlandez ofron skena të bukura me drita gjatë ditëve më të errëta të vitit

Festivali i Dritave në Helsinki ofron skena të bukura me drita gjatë ditëve më të errëta të vitit. Ditët gjatë dimrit në Finlandë ditët janë të shkurtra dhe dielli ndriçon vetëm disa orë. Këtë vit shumë artistë finlandezë dhe ndërkombëtarë kanë paraqitur punimet e tyre në festival. Festivali u mbyll më 8 janar.

Katedralja e Bardhë e Helsinkit shkëlqen në errësirën e dimrit. Festivali i Dritave ndriçon pjesën më të errët të vitit me drita të lloj-llojshme.

Gjatë festivalit Katedralja e Bardhë në Sheshin e Senatit në Helsinki shndërrohet në një skenë madhështore dritash.

Këtë skenë madhështore e kanë krijuar dy dizenjatorë gjermanë. Në murin e bardhë të katedrales përmes pamjeve filmike nga tre vende pasqyrohen imazhe të bukura të qiellit dhe detit.

Njerëzit shikojnë dhe dëgjojnë përplasjen e valëve të detit në murin e kishës që shoqërohen me theksimin e ngjyrave të larmishme dhe lëvizjen e krijesave të ndryshme.
Ngjyra e verdhë e ndezur është një pamje e pazakontë në mes të dimrit, kur kryeqyteti finlandez përjeton vetëm disa orë me diell në ditë gjatë muajve më të errët të vitit.

Llambat ngjyrë portokalli janë pjesë e festivalit të përvitshëm, i cili feston dritën gjatë errësirës së janarit përmes instalimit dhe aktivizimit të llambave të ndryshme.

Artisitja 27 vjeçare Jeni Kaarianien ka krijuar Diellin e Natriumit, një nga instalimet më të spikatura të festivalit këtë vit, në të cilin prezantohen punimet e shumë artistëve finlandezë dhe atyre ndërkombëtarë.

“Në vendin tonë kemi stinë të ndryshme. Pra, netët janë shumë të errëta dhe ditët janë me dritë të fortë. Prandaj ka një kontrast të madh në stinët e ndryshme të vitit dhe ndryshimi i dritës është i theksuar”.

Punimet e Jenni Kaarianen janë në mesin e shumë punimeve të artistëve tjerë të përfqësuar në Sheshin Kansalaistori në Helsinki.

Edhe puna e artistit nga Hong-Kongu, Twinsen Ho, i cili ka krijuar një kopsht përrallor që trajton tema të folklorit finlandez pëlqehet shumë nga adhuruesit e festivalit.

Edhe punimet interaktive të artistit nga Londra Dan Shorten kanë zgjuar interesimin e shumë vizitorëve. Instalimet e tij të quajtura Reveal ose “Zbulesa”, janë punime arti teknologjikisht më të përparuara.

Përmes ndjesorëve ky punim krijon një video hartë interaktive e cila kombinon lëvizjet e audiencës me imazhet e projektuara në mur, thotë 33 vjeçari Shorten, i cili është mësues në Shkollën e Muzikës dhe Dramës Guildhall në Londër.

“Ky punim është një video hartë me ndjesorë që ndjekin lëvizjet. Kemi shfrytëzuar një pjesë të murit rreth 20 metra të gjërë dhe 6 metra të lartë dhe kemi projektuar një imazh tjetër mbi të njëjtin mur. Pra, kjo funksionon si një maskë, në atë mënyrë që, lëvizjet e audiencës dhe veprimet e tyre heqin disa pjesë të maskës dhe zbulojnë pjesë të video imazheve të fshehura interaktive”.

Festivali i Dritave në Helsinki shfrytëzon disa nga ndërtesat më të bukura të qytetit muret e të cilave përdoren nga artistët.

Stadiumi Olimpik, i ndërtuar për lojrat verore të vitit 1952, është i ndriçuar me ngjyrat e ylberit.
XS
SM
MD
LG