Lidhje

Tiranë: Hetim koncensioneve 250 milion euro në shëndetësi


“Shpresoj që prokuroria t'u shkojë hetimeve deri në fund dhe të mos pastrojë figurën e ministrit. PD denoncoi abuzimet në ministrinë e shëndetësisë” - tha Albana Vokshi, kryetare e komisionit parlamentar të shëndetësisë.

Prokuroria shqiptare nisi hetimet pasi regjistroi procedim penal për të paktën tre tendera nnë fushën e shëndetësisë: “kontrolli shëndetësor falas”, “hemodializa” dhe “sterilizim i pajisjeve kirurgjikale”.

Prokuroria nisi hetimet me nismën e vet pas polemikave publike pozitë - opozitë dhe pas disa shkrimeve të rrjetit të gazetarisë investigative në Ballkan, BIRN, ku janë shprehur dyshime për favorizim të fituesve.

Koncesioni për kontrollin shëndetësor falas për qytetarët 40-65 vjeç, koncesioni i hemodializës dhe ai i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale shkojnë të treja në një vlerë mbi 250 milion euro.

Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj nuk pranoi të komentonte për nisjen e këtyre hetimeve, ndërsa një zëdhënës i tij i tha Zërit të Amerikës, se ministria e shëndetësisë nuk komenton çështje që janë nën hetim ose në gjykim.

Ndërsa kryetarja e komisionit parlamentar të cështjeve sociale dhe shëndetësisë, Albana Vokshi shprehu shqetësimin se pas cdo veprimi financiar të ministrisë së shëndetësisë ka dyshime për abuzime për shkelje ligjore dhe përfitime korruptive.

“Shpresoj që prokuroria t'u shkojë hetimeve deri në fund dhe ky mos jetë një rast për pastrimin e figurës së ministrit. Në parlament dhe në foltoren e partisë demokratike ne vazhdimisht kemi denoncuar shkeljet ligjore dhe abuzimet, që po ndodhin nga ministria e shëndetësisë. Nuk janë vetëm këto 3 koncensione. Pritet që edhe laboratoret, edhe spitali i traumës të lëshohen me koncensione, ndaj hetimet duhen çuar deri në fund” - tha zonja Vokshi.

Kontrolli shëndetësor falas iu besua për 120 milion euro, për një periudhë 10 vjeçare, kompanisë “Marketing & Distribution”, e cila zotërohet nga Vilma Nushi një emër i njohur i sipërmarrjes në vend.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është shprehur më parë se i gjithë procesi i garës ka qenë transparent.

Por zonja Vokshi tha se check up-i shëndetësor i gjithë popullatës iu besua një firme pranë qeverisë Rama e cila shet duhane dhe alkoole dhe nuk ka asnjë përvojën e duhur dhe as licensat e duhura në fushën shëndetësore, madje janë shkelur dhe po shkelen ligjet dhe procedurat e koncensionit si edhe në kryerjen e mijëra analizave.

Përfaqësuesit e opozitës besojnë se një check up me një fashë kaq të gjerë moshore 25 vjeçare, pra nga 40- 65 vjeç nuk njihet në botë, por është një krijesë e qeverisë Rama.

Zonja Vokshi tha se edhe raporti i departamentit të shtetit për të drejtat e njeriut theksoi se krahas drejtësisë, një fushë tjetër me korrupsion të ishte edhe shëndetësia shqiptare.

Krahas tre koncensioneve, dyshime të forta ka edhe për shkelje në procedurat për recetën elektronike dhe për tenderat e ilaçeve, tha ajo.

“Kjo është qeveria e klientelave dhe jo e qytetarëve. Premtimi i tyre më i madh, shëndetësia falas rezultoi një mashtrim i madh, dhe një fushë me korrupsion të madh. Nuk them se në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike nuk ka patur probleme, por asnjëherë mjekësia shqiptare nuk ka patur një korrupsion dhe një paligjshmëri aq të madhe sa tani me qeverinë socialiste” - tha zonja Vokshi.

Një tjetër garë plot dyshime dhe polemika ishte koncensioni i hemodializës, për afër 900 pacientë shqiptarë, me një vlerë prej 86 milion dollarësh, me një çmim fiks për 10 vjet.

Fituese mes 6 kompanive që u kualifikuan ishte “Evita shpk” në konsorcium me “Spitalin Amerikan”.

“Evita shpk”, është një shoqëri e themeluar në maj të 2013, dhe me objekt ndër të tjera “Import, eksport, tregtim me shumicë, montim dhe riparim i aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, impianteve si dhe aksesorëve të tyre”.

Në 2013 dhe 2014 kjo kompani kishte një aktivitet modest, ndërsa në garën e zhvilluar, oferta e saj financiare ishte ndër më të lartat.

Një garë e dyshimtë me shkelje flagrante mendohet se është koncensioni për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, me vlerë 100 milion dollarë. Fitues u shpall një bashkim kompanish, “Investal LLC”, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”. “Investal LLC” e cila zotëron 40 përqind të aksioneve të konsorciumit u themelua në Prishtinë, nga Ilir Rrapaj, i cili prej vitesh jeton në Umbria të Italisë, ku ka drejtuar një kompani të vogël ndërtimi.

Rrapaj, sipas rrjetit BIRN, ka qenë shpesh i pranishëm në disa takime të ministrit shqiptar të Shëndetësisë me biznesmenë italian të sektorit të shëndetësisë.

Konkurrentë të tjerë në garë kundërshtuan tenderin duke u shprehur se oferta e konsorciumit fitues kishte qenë përtej fondit limit.

Por këto pretendime u cilësuan si “shpifje” nga ministria.

Hetimi i hapur nga prokuroria do të realizohet nga Njësia Antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG