Lidhje

Hetime intensive për Cështjen Doshi


Sot në Prokurori ballafaqimi mes deputetit dhe Durim Bamit, personit që sipas versionit të zotit Doshi do të kryente vrasjet

Në Shqipëri vazhdojnë hetimet intensive të prokurorisë së Krimeve të Rënda, rreth deklarimeve të deputetit Tom Doshi mbi ekzistencën sipas tij të një plani për të vrarë atë vetë dhe deputetin demokrat Mhill Fufi

Përballë deputetit, grupi hetimor ka vënë sot Durim Bamin, personi i cili sipas versionit të treguar nga zoti Doshi, kishte marrë porosinë për vrasjen. Ballafaqimi mes tyre ka ardhur pas disa deklarimeve kontradiktore mbi ngjarjen. Durim Bami, u arrestua menjëherë pas hapjes së hetimeve mbi këtë rast. Ndërkohë është marrë në pyetje edhe Fatjon Skënderi, i cili sipas asaj që Bami i ka treguar deputetit Doshi, në videon e publikuar nga ky i fundit, ishte personi që e kishte kontaktuar për të kryer vrasjet, kundrejt shumave të mëdha parashë. Prokurorët pritet që të kryejnë edhe një ballafaqim tjetër mes të tre këtyre personave.

Deklarimet e zotit Doshi tronditën skenën politike, pas akuzave të tij se organizatori i planit të vrasjeve ishte kryetari i parlamentit Ilir Meta. Marrëdhëniet mes shumicës dhe opozitës janë tensionuar sërish. E djathta këmbëngul në dorëheqjen e zotit Meta, ndërsa shumica deklaron se gjithshka sipas saj është një farsë dhe se e vërteta e ngjarjes duhet të zbardhet nga Drejtësia. Deri tani për këtë rast kanë dhënë deklarimet e tyre dhe një numër i konsiderueshëm politikanësh të lartë e deputetë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG