Lidhje

Hetime për korrupsion në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete


Hetime për korrupsion në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete

Hetime për korrupsion në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, bëri të ditur se janë kryer bastisje në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në kuadër të hetimeve për korrupsion. Në një njoftim të EULEX-it thuhet se batisje janë kryer edhe në një kompani private dhe dy shtëpi dhe hetimet kanë të bëjnë me disa tenderë të periudhës ndërmjet viteve 2007 dhe 2009. Dyshimet kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës, përvetësim dhe marrje e dhënie të mitës.

Zyrtarët e Misionit nuk kanë dhënë me shumë hollësi ndërsa bastisjet nuk janë komentuar nga zyrtarë të qeverisë, te cilët shprehen të përkushtuar për luftë kundër kësaj dukurie. Kjo është hera e dytë që EULEX-i kryen bastisje dhe hetime në një ministri të qeverisë së Kosovës. Në prill të vitit të kaluar batisej dhe hetime y kryen edhe në Ministrinë e Transporteve dhe telekomunikacionit, por deri tash nuk ka pasur ndonjë pohim apo mohim të dyshimeve.

Shefi i Agjencisë Kundër korrupsionit, Hasan Preteni tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se mekanizmat e drejtësisë duhet të shkojnë përtej hetimeve të rasteve të dyshuara për përfshirje në korrupsion. “Kjo luftë nuk duhet të jetë luftë stihike. Po më duket se nuk është luftë që është permanente, që ka një angazhim të vazhdueshëm të këtyre mekanizmave. Dhe definitivisht pres që të ketë edhe gjykime, jo vetëm hetime, fillim të hetimeve spektakulare, por të ketë edhe luftë të dinjitetshme kundër korrupsionit”.

Zoti Preteni thotë se shkalla e korrupsionit në vend është e lartë dhe kjo është pasqyruar edhe në raportet e shumë organizatave ndërkombëtare.

“Agjencia flet në bazë të shifrave. Në asnjë fazë nuk kemi më pak se 60 informacione që trajtohen në agjenci. Mendoj se është shqetësuese dhe nuk kemi të bëjmë me pretendime që buxhetit të Kosovës t’i krijohet një dëm minimal ose shkelje procedurash formale. Por, në shumicën prej rasteve kemi të bëjmë me pretendime që buxhetit të Kosovës t’i krijohen dëme milionëshe. Them se është shumë serioze dhe nuk duhet të harxhojmë energji asnjë mekanizëm, sidomos mekanizmat që kanë për mision luftën kundër korrupsionit, të shpenzojmë energji rreth asaj se a ka apo s’ka korrupsion. Ai është evident”, tha zoti Preteni.

Ai thotë se kjo dukuri është më e shprehur në ato fusha ku punohet me paratë publike.

“Fusha e prokurimit është një vullkan që nuk bën asnjë pushim, gjithmonë është aktiv dhe vazhdimisht po gjeneron të këqija në shpenzimin e parasë publike. Pastaj, aty ku ka më shumë mjete, ku kë më shumë buxhet, aty edhe rreziku për keqpërdorime është më i madh. Kështu që edhe në këto të dhënat tona, në informacionet që i trajtojmë në raportet tona vjetore gjithmonë figurojnë që më shumë informacione për veprime të mundshme korruptive, ka në ato institucione që kanë më shumë buxhet”, tha zoti Preteni.

Organizata ndërkombëtare Transparency International, e cila mat shkallën e korrupsionit në vendet e ndryshme të botës, vitin e kaluar e radhiti Kosovën të fundit në rajon për shkallën e korrupsionit. Në raportin e kësaj organizate Kosova renditej e 110-ta me një vlerësim prej 2.8 pikësh në mesin e 178 shteteve të botës.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë pjesë e kritereve të përcaktuara për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, krahas hapave tjerë për sigurimin e qëndrueshmërisë politike në vend.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG