Lidhje

Tiranë: Dyfishohet prokuroria e krimeve të rënda


Prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla, kërkoi sot në prokurorinë e krimeve të rënda shpejtimin e hetimeve për korrupsionin, ndërkohë që kjo zyrë u dyfishua edhe me 4 prokurorë të tjerë.

Prokurorët e rinj janë pjesë e Njësisë Antikorrupsion, e cila heton korrupsionin e administratës publike.

“Numri i referimeve në këtë njësi është shumë i ulët, por prokuroria për krime të rënda, dhe Prokuroria e Përgjithshme do të zbatojnë disa mekanizma alternativë, për të forcuar luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe në sistemin e drejtësisë” - tha zoti Llalla.

Prokuroria dhe Gjykata për Krime të Rënda, sipas tij, kanë dërguar para drejtësisë të grupeve kriminale, si ato në zonën e Lazaratit dhe zona të tjera të vendit, grupet e vrasësve me pagesë, persona që rekrutonin qytetarë për luftëra në Lindjen e Mesme, grupe që trafikojnë lëndë narkotike, persona që kryejnë krime në familje si dhe vepra të tjera penale.

Prokuroria për krime të rënda ka vendosur para përgjegjësisë ligjore disa gjyqtarë dhe prokurorë, por është shumë e nevojshme të rritet shpejtësia e hetimeve, tha zoti Llalla.

Lufta kundër krimit të organizuar, besojnë prokuorët, mund të ketë rezultate më të mëdha me goditjet e krimit financiar, ndaj ka shtuar sekuestrot, për të cilat duhet bindur gjykata për të goditur financat e grupeve kriminale, duke shfrytëzuar çdo informacion për veprimtari kriminale mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Prokurorët po përpiqen të zgjerojnë bashkëpunimin me Policinë e Shtetit kundër kriminalitetit, ndërsa prej vitesh, ka ekzistuar dualitet mes tyre, i cili po shmanget me ndryshime ligjore. Byroja Kombëtare e Hetimit pritet të shtojë kapacitetet policore në luftën kundër korrupsionit.

XS
SM
MD
LG