Lidhje

Hetime në SHBA për viktima civile në Siri


Ushtria amerikane filloi një hetim zyrtar për pretendimet se ka patur viktima civile gjatë një sulmi ajror të koalicionit në qytetin Manbij, të Sirisë.

Disa organizata të të drejtave të njeriut kanë thënë se janë vrarë të paktën 10 persona dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë goditjes ajrore të 19 korrikut.

Një zyrtar i qeverisë amerikane tha se gjatë një vlerësimi fillestar për viktima civile rezultuan tregues të mjaftueshëm për të filluar një hetim.

Koalicioni e kreu sulmin ajror ndaj godinave të kapura nga Shteti Islamik pasi pikasën një autokolonë që përgatitej të sulmonte. Vetëm pasi u krye sulmi pati të dhëna se mund të ketë patur edhe civilë në atë zonë.

Zyrtarët thanë se një hetim zyrtar mund të përfshijë edhe intervista me familjarët e viktimave dhe me dëshmitarët që kanë folur me organizatat e të drejtave të njeriut. Të dhënat më tej do të krahasohen me informacionin që ka koalicioni. Ushtria po vlerëson edhe një tjetër incident të mundshëm me civilë, të ndodhur pak ditë më vonë në po të njëjtën zonë, më datë 23 korrik.

Koalicioni ka kryer deri më tani 520 sulme ajrore në mbështetje të forcave arabo-siriane që po luftojnë të zmbrapsin Shtetin Islamik nga qyteti Manbij.

XS
SM
MD
LG