Lidhje

Hidhen në treg më shumë makina kompakte dhe më efikase


Hidhen në treg më shumë makina kompakte dhe më efikase
Hidhen në treg më shumë makina kompakte dhe më efikase

Ndërsa industria amerikane e automobilëve po del nga një prej periudhave më të vështira për sa i përket shitjeve, fabrikat vazhdojnë të përmirësojnë teknologjinë në përpjekje për të prodhuar makina që pasqyrojnë kërkesat e reja të konsumatorit. Kjo strategji nga njera anë po krijon vende pune në të ashtuquajturën industria e “makinave të gjelbra”, por nga ana tjetër po eliminon vende pune.

Pas 15 vjetësh punë në linjën e montimit, punonjësja e makinave në Detroit, Nicole Current së shpejti do të humbasë punën.

“Unë punoj në sektorin e prodhimit të akseve të kamionëve dhe ndërsa industria e automobilëve përpiqet të shmangë makinat e mëdha, duke i zëvëndësuar ato me makina më ekonomike, më efikase, natyrisht duke pasur parasysh çmimet e karburantit, më pak njerëz blejnë makina të mëdha”.

Konsumatorët po blejnë makina hibride, që funksionojnë me karburant dhe elektrik, si Toyota Prius. Zëdhënësi i kompanisë Toyoto, Greg Thome thotë se Prius është një prej modeleve më popullore.

“Prius është shitur shumë mirë, madje ne presim që kjo prirje jo vetëm të vazhdojë, por të përmirësohet gjatë këtij viti. Nga një model i vetëm Prius ne do të prodhojmë tani 4 modele të tjera”.

Toyota nxori për herë të parë modelin më të vogël Prius C në Panairin Ndërkombëtar të Makinave për vitin 2012 që u organizua në Detroit të shtetit Miçigan.

Zoti Thome thotë se modeli Prius C pasqyron kërkesën e konsumatorit pas recesionit të fundit për makina më të lira dhe më efikase.

“Recesioni pa dyshim ndikoi në shitjen e të gjitha modeleve. Tani ne shikojmë që konsumatorët po kthehen në treg, për të blerë makina, mes tyre edhe makinat hibride”.

Pothuajse çdo prodhues automobilësh në panairin e këtij viti në Detroit, nga makinat e vogla më të lira deri tek ato më luksozet, po reklamon modele më efikase.

Ashtu siç është folur gjerësisht rreth suksesit të makinës elektrike Chevrolet-Volt, i prodhuar nga General Motors, e cila vazhdon të shitet mirë për të dytin vit me radhë, GM po përqëndrohet më shumë te kërkesat e tregut për makina të gjelbra.

Një prej drejtuesve të firmës thotë se ndryshimi i fokusit të kompanisë larg kamjonëve dhe fuoristradave është pjesë e strategjisë së përgjithshme të General Motors.

“Aspekti i gjelbërt është zhvilluar për një farë kohe. Natyrisht që ne duam të sigurohemi që kemi edhe alternativa ndaj karburantit. Ne nuk duam të varemi vetëm tek një lloj i veçantë burimi energjetik. Prandaj është pozitive për ne si kompani që të kemi shumë oferta dhe në këtë mëyrë të mbijetojmë përkundrejt paqëndrueshmërisë së çmimeve të karburantit”.

Kërkesa e konsumatorëve për makina më të vogla dhe më efikase vazhdon të ndryshojë industrinë e automobilëve në Shtetet e Bashkuara. Dhe kjo kërkesë po bën që të rihapen fabrika të braktisura dhe të krijohen vende pune në një industri që gjatë 10 vjeçarit të fundit la të papunë dhjetra mijëra njerëz.

Ky është një lajm i mirë, por edhe i hidhur për punonjës si Nicole Current.

“Megjithëse do ta humbas vendin e punës, si anëtare e sindikatës, unë jam pjesë e një sistemi, që po ecën në drejtimin e duhur me udhëheqjen që kemi aktualisht”.

Zonja Current shpreson që kjo udhëheqje ta ndihmojë atë të gjejë një punë në një prej mijëra vendeve të reja të punës, që po krijon indistria në lulëzim e makinave të gjelbra në Detroit.

XS
SM
MD
LG