Lidhje

Siguria e teknologjisë së lartë


Thyerja e sigurisë në kompaninë Sony dhe kompani të tjera ka ngritur pikëpyetje në lidhje me të dhënat e kompanive dhe të konsumatorëve. Rreziku më i madh për konsumatorët mbetet vjedhja e të dhënave, ndërsa tashmë kompanitë përballen me rreziqe më të mëdha se më parë.

Në ditën e Krishtlindjes, rrjeti Playstation i kompanisë Sony u vu në shënjestër nga hakerat.

Kompania sapo kishte përjetuar një muaj më parë një ndërhyrje masive në të dhënat e saj, kur hakerat qarkulluan në publik të dhëna të shumta të korporatës.

Ata ishin të pakënaqur me filmin “Intervista”, prodhuar nga kompania Sony, në të cilin përqeshej udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Autoritetet amerikane besojnë se prapa sulmit qëndron Korea e Veriut, e cila e ka mohuar këtë gjë. Të tjerë thonë se hakera privatë kanë qenë të përfshirë. E kujtdo qoftë përgjegjësia, vjedhja e të dhënave krijoi një krizë për kompaninë Sony.

Në shtator, kompania Home Depot informoi se një sulm pesë mujor ndaj terminaleve të saj të pagesave rezultoi me vjedhje të të dhënave të rreth 10 milionë konsumatorëve të saj. Një tjetër sulm i mëparshëm kishte shënjestruar dyqanet e kompanisë Target.

Çdo sulm është i ndryshëm, por siç thotë analisti Hugh Thompson i firmës së sigurisë Blue Coat, ato kanë një pikësynim, kryhen me insistim, dhe shpesh sulmojnë individë punonjës të këtyre kompanive.

“...sulmohen persona si p.sh. administratorët e rrjeteve, dhe mediat e tyre sociale, për të zbuluar se cili është restoranti ku pëlqejnë të ushqehen, ose cila është skuadra e tyre e preferuar, dhe pastaj u dërgojnë një email që marrësve u duket sikur ua dërgon një mik ose koleg.”

Marrësi mashtrohet për të klikuar në një adresë interneti dhe rrjedhimisht të shkarkojë një virus. Firma sigurie si Blue Coat dhe Cyphort bashkëpunojnë me kompanitë e mëdha për të parandaluar dhe për të identifikuar sulmet kibernetike. Por, siç thotë themeluesi i Cyphort, Fengmin Gong, tashmë shumë prej hakerave u përkasin organizatave komplekse, dhe janë shumë të durueshëm.

“Tashmë kanë akses në shumë lloje mjetesh. Gjejnë të gatshme lloj-lloj teknikash dhe zgjidhjesh.”

Ai thotë se hakerat janë tashmë pjesë e një industrie të tërë fitimprurëse.

Tregëtia online mendohet të jetë në 1.5 triliardë dollarë, dhe thyerjet e sigurisë përbëjnë shqetësim për shumë konsumatorë. Faqe interneti si PayPal synojnë të ndihmojnë konsumatorët të blejnë të sigurtë online. Andy Steingruebl, i PayPal, bashkëbisedoi me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype.

“Për shkak të punës që bëj, jam në fakt optimist se si shumë kompani po përmirësojnë zhvillimin e masave të reja mbrojtëse, dhe se po zhvillohen teknologji të reja për të siguruar kompanitë dhe konsumatorët.”

PayPal bashkëpunon me të ashtuquajturit hakera etikë për të zbuluar boshllëqe në sistemin e vet. Vitin e kaluar, kompania i pagoi 10 mijë dollarë një inxhinieri egjiptian për të zbuluar pikat e dobëta të saj.

Ekspertët thonë se konsumatorët mund të mbrojnë vetveten duke përditësuar programet e tyre të sigurisë, duke mbajtur fjalëkalimet të sigurta dhe duke ruajtur të dhënat e tyre personale, por se edhe bizneset duhet të rrisin përpjekjet e tyre ndaj një sulmi në rritje nga hakera të sofistikuar.

XS
SM
MD
LG