Lidhje

Hije ndaj gjyqtarëve shqiptarë për marrje ryshfeti

  • Armand Mero

Hije ndaj gjyqtarëve shqiptarë për marrje ryshfeti

Hije ndaj gjyqtarëve shqiptarë për marrje ryshfeti

Gjykata e Lartë, institucioni suprem i drejtësisë shqiptare është vënë sërish në qendër të vëmendjes. Këtë herë jo për shkak të ndonjë procesi të bujshëm ndaj ndonjë zyrtari të lartë, por se mbi një trupë gjykuese, dhe veçanërisht kryesuesin e saj Gani Dizdari, kanë rënë hije të forta dyshimi për një histori ryshfetesh në këmbim të vendimit ndaj një personi të dënuar më parë, nga dy nivelet më të ulta të gjykatave me 20 vjet burg për vrasje. Kjo është bërë e ditur nga prokuroria e cila njoftoi dje se ka mbyllur hetimin dhe ka çuar në gjykatën e Fierit, dosjen ndaj tre personave, të akuzuar “për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndaj tyre janë përdorur metoda speciale të hetimit, përfshirë edhe përgjimet.

Sipas prokurorisë, “Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj, janë interesuar të mbledhin shuma të konsiderueshme të hollash, të cilat duhet ti paguanin për të zgjidhur çështjen në favor të të dënuarit në Gjykatën e Lartë. Personi që premtonte zgjidhjen e çështjes në Gjykatën e Lartë ishte Agron Lumeshi, i cili është i afërm i kryesuesit të trupit gjykues, Dizdari.

Në bazë hetimeve, organi i prokurorisë shpjegon se ka konstatuar se “të hollat e mbledhura nga Enar Lushakaj dhe Renato Mellaraj kërkoheshin në funksion të ushtrimit të ndikimit në Gjykatën e Lartë për të marrë një vendim gjyqësor në favor të të dënuarit Vilson Mellaraj”. Janë të paktën 20 mijë euro të mbledhura prej tyre. Gjithashtu, sipas prokurorisë, “rezulton mëse i qartë fakti se Agron Lumeshi ka marrë përsipër zgjidhjen e çështjes në favor të të dënuarit, nëpërmjet ndikimit të tij tek trupi gjykues”. Megjithatë vendimi, i cili përket viti të shkuar, majit të 2011, ka lënë të njejtin denim, prej 20 vitesh burg, për të dënuarin. Por prokuroria mbështet idenë se “ndikimi ndaj trupit gjykues është realizuar dhe se vendimi është marrë i tillë, pasi gjykatësi është vënë në dijeni mbi hetimet e madje edhe mbi përgjimet”. Pikërisht prej tyre “rezulton qartë – shprehet prokuroria - se të pandehurit ishin vënë në dijeni të vendimit gjyqësor një ditë parpara shpalljes së vendimit, se vendimi do të ishte në disfavor të të dënuarit dhe se njëkohësisht kishin rënë në dijeni të faktit që të gjithë personat e përfshirë ishin në përgjim”.

Gjykatësi Gani Dizdari mohoi dje përmes zëdhënëses së gjykatës të ketë patur kontakte me të pandehurit duke saktësuar se vendimi ishte dhënë duke respectuar ligjin. Prokuroria nga ana e saj nuk ka bërë të qartë nëse do të kërkojë hetim edhe ndaj tij. Në një rast të tillë, duke qenë se bëhet fjalë për një anëtar të Gjykatës së Lartë do të duhej të kërkohej autorizim nga parlamenti. Vënia nën hetim e gjyqtarëve, edhe atyre të rangjeve më të ulta, është kthyer gati në një mision të pamundur për shkak të imunitetit që ata gëzojnë. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka deklaruar në disa raste se shpesh nga përgjimet e personave që ata kanë në hetim janë zbuluar edhe përfshirje të mundshme gjyqtarësh, porse procedurat për të marrë leje për hetimin e këtyre të fundit, janë të atilla që mundësojnë të vihen në dijeni të një fakti të tillë.

Rasti i fundit i bërë i ditur nga prokuroria dëshmoi megjithatë edhe një problem tjetër, dekonspirimin e hetimit, duke qenë se palët e përfshira kishin mësuar madje edhe se po përgjoheshin.

Një muaj më parë Gjykata e Lartë u vu në qendër të kritikave të një pjese të opinionit lidhur me procesin ndaj ish zvëndës kryeministrit Ilir Meta i cili u shpall i pafajshëm për çështjen e videos së bisedës së tij me ish Ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti.

Sistemi i Drejtësisë shqiptare mbetet në qendër të kritikave ndërkombëtare për nivelin e lartë të korrupsionit, apo dhe fenomenin e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë publikë.

XS
SM
MD
LG