Lidhje

DASH bën publike qindra e-maile të zonjës Clinton


Departamenti amerikan i Shtetit bëri publike qindra e-maile të tjera të ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, në bazë të urdhërit të një gjykatësi federal.

Tre mijë faqe e-maile ishin dërguar në muajt mars-dhjetor të vitit 2009 viti i parë kur zonja Clinton ishte në postin e Sekretares së Shtetit. Në e-maile flitej për gjithshka, nga shqetësimet e përditshme për çështje të politikës së jashtme, me disa ndihmës të zonjës Clinton, me administratën Obama dhe kontakte të tjera, përfshirë ish-presidentin

Jimmy Carter, i cili kishte ofruar të shkonte në Korenë e Veriut për të siguruar lirimin e dy amerikanëve të ndaluar nga regjimi komunist.

Zonja Clinton, e cila është favorite në garën e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, është kritikuar për përdorimin e e-mailit privat për korrespondencën kur ishte sekretare shteti në vitet 2009-2013. Rivalët republikanë thonë se zonja Clinton e përdori llogarinë e saj private për ta mbajtur e-mailin e saj zyrtar larg rekordeve publike.

Një gjykatës federal e urdhëroi Departmentin e Shtetit, që t’i përmbahet një kalendari për publikimin e 55 mijë faqeve me e-maile të dërguara apo të marra nga zonja Clinton, kur ajo ishte kryediplomate e Shteteve të Bashkuara.

Grupi i parë i e-maileve u bë publik në muajin maj. Synimi është që deparatmenti të zbulojë për publikun 55 mijë faqe me e-maile deri në fund të janarit 2016.

E-mailet po redaktohen, bazuar në standartet e Aktit të Lirisë së Informacionit, duke bllokuar çdo informacion që lidhet me sigurinë kombëtare, privacinë personale, sekretet e privilegjit dhe të tregtisë.

Republikanët e kanë shfrytëzuar çështjen e e-maileve, ndërsa theksojnë arguentin e tyre se administrata Obama ishte e papërgatitur për sulmet e vitit 2012 në Benghazi të Libisë, ku u vranë 4 amerikanë, mes tyre edhe ambasadori i SHBA atje.

Republikanët, duke këmbëngulur se adminsitrata Obama përpiqej të fshihte natyrën terroriste të sulmit, kanë krijuar një Komision special për çështjen Benghazi në Dhomën e Përfaqësuesve. Aleatë të zonjës Clinton thonë se paneli i kirijuar është një instrument politik për ta dëmtuar kandidaten demokrate gjatë garës së saj për në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG