Lidhje

Polemika për emailet e Hillary Clinton-it


Ish sekretarja e Shtetit, që pritet të jetë edhe kandidatja për presidente e Partisë Demokrate në zgjedhjet e 2016-ës, Hillary Clinton, ndodhet aktualisht në qendër të një debati lidhur me përdorimin e emailit privat për çështje zyrtare, gjatë periudhës kur ajo ishte Sekretare e Shtetit. Republikanët janë duke u përpjekur ta nxisin më tej debatin, ndërkohë që demokratët presin që zonja Clinton të shpallë zyrtarisht kandidimin e saj dhe të çelë fushatën elektorale në muajt e adhshëm.

Polemika filloi kur Departamenti i Shtetit konfirmoi se zonja Clinton kishte përdorur llogarinë e emailit privat për çështje zyrtare gjatë periudhës kur ajo ishte sekretare shteti, në vend që të përdorte adresën e emailit të saj zyrtar.

Zyrtarët e Deparatmentit të Shtetit thanë se përdorimi i llogarisë së emailit privat nuk ishte diçka e ndaluar dhe se zonja Clinton nuk kishte çuar kurrë informacione sekrete me emailin e saj privat. Por kritikët thonë se kjo mund të ketë qenë një mënyrë e saj për të fshehur komunikimet.

Përmes Twitter-it, zonja Clinton tha se donte që "publiku t'i shihte emailet" dhe i kërkoi Departamentit të Shtetit t'i publikojë ato. Zyrtarët e Departamentit thonë se procesi i rishikimit të mijëra emaileve ka filluar, por do të marrë muaj të tërë.

Zbulimi i faktit që zonja Clinton përdori emailin privat shkaktoi kritika tek republikanët në Kongres, përfshirë anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve, i krijuar për hetimin e sulmit terrorist të 2012-ës ndaj ambasadës amerikane në Benghazi të Libisë. Gjatë këtij sulmi u vranë Ambasadori amerikan Chris Stevens dhe tre amerikanë të tjerë. Republikanët thonë se zonja Clinton duhet të kishte bërë më tepër si sekretare shteti për mbrojtjen e tyre.

Kryetari i Komisionit, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Trey Gowdy i Karolinës së Jugut, thotë se ai pret me padurim t'i shohë emailet.

“Vetëm ajo i ka të dhënat e plota dhe komisioni do të kontaktojë me të, me avokatët e saj dhe me specialistë të informatikës, për t'u siguruar që do të arrijmë të njihemi me gjithshka që i takon të dijë popullit amerikan."

Përplasja për emailet doli ndërsa demokratët janë një pritje të shpalljes zyrtarisht të kandidaturës për presidente nga zonja Clinton. Ajo përsëri la të kuptohet për mundësinë e kandidimit në fjalimin që mbajti para grupit politik që mbështet kandidatet gra, "Emily’s List".

"Nuk doni të shihni një numër më të madh grash që të kandidojnë për në Kongres? Është e drejtë të shtrohet edhe pyetja: a nuk doni që një ditë presidente e SHBA të jetë një grua?"

Zonja Clinton dhe bashkëshorti i saj, ish presidenti Bill Clinton, në të kaluarën janë kritikuar për përpjekje për mosdhënien e të gjitha informacioneve, thotë analisti politik në Universitetin e Virginias, Larry Sabato.

“Ne gjithashtu dimë se ata kanë një prirje për t'i mbajtur gjërat sekret dhe se shpesh nuk janë transparentë. Shpesh ata besojnë se ka dy palë rregulla, një palë për ta dhe një palë për njerëzit e tjerë."

Por zoti Sabato shton se është tepër herët për të ditur se çfarë ndikimi do të ketë polemika për zonjën Clinton, ndërsa ajo ndoshta përgatitet të kandidojë në fushatën elektorale në vitit 2016.

“Mendoj se do të ketë një reagim të rëndësishëm politik, në se në emaile do të gjendet ndonjë informacion i papërshtashëm. Në se nuk do të ketë të tillë, kjo çështje do të zbehet, si shumë të tjera, që për momentin mund të duken interesante."

Disa anlistë të tjerë thonë se polemika e emaileve mund të sinjalizojë probleme politike për zonjën Clinton. Analisti politik Tom DeFrank i revistës "National Journal", ishte i ftuar në programin e Zërit të Amerikës “Issues in the News”.

“Të thuash që çifti Clinton ka prirjen t'i mbajë gjërat sekret do të thotë t'i zvogëlosh gjërat. Ata janë të pushtuar nga ndjenja e fshehtësisë dhe kjo është dukur gjithmonë në krizat që ata kanë kaluar në të shkuarën. Kjo nuk është diçka e zgjuar nga ana a tyre."

Anketat e fundit tregojnë se zonja Clinton duket qartë që mund të jetë kandidatja e preferuar e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale. Por çështja e emaileve i ka shqetësuar disa aktivistë demokratë, të cilët mund të jenë më të hapur të kërkojnë një alternativë tjetër, përveç zonjës Clinton. Mes këtyre demokratëve që kanë treguar interes për të kandiduar vitin tjetër, janë nënpresidenti Joe Biden, ish-guvernatori i Maryland-it Martin O’Malley, ish-senatori i Virxhinias Jim Webb dhe Senatori i pavarur i Vermontit, Bernie Sanders.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG