Lidhje

Projektet TV për zonjën Clinton ngjallin debat


Kreu i Partisë Republikane u ka kërkuar dy televizioneve të mos i transmetojnë miniserialet për jetën e ish sekretares së shtetit

Në Shtetet e Bashkuara, kreu i Partisë Republikane u ka kërkuar dy rrjeteve të mëdha televizive që të mos i transmetojnë miniserialet dhe dokumentarët e planifikuar për jetën e ish sekretares së shtetit Hillary Clinton, sepse sipas tij, ato do të ishin reklama për ish-zonjën e parë në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Zonja Clinton ende nuk e ka bërë të qartë nëse do të kandidojë për zgjedhjet e 2016-s.

Republikanët kanë kërcënuar se do të kundërpërgjigjen ndaj dy rrjeteve televizive, CNN dhe NBC, nëse ato transmetojnë programet për zonjën Clinton.

Televizioni CNN ka në plan të përgatisë një dokumentar për jetën e ish sekretares së shtetit për ta transmetuar në vitin 2014. Ndërsa planet e rrjetit NBC janë për një miniserial me katër pjesë, me aktoren Diane Lane, që planifikohet të transmetohet në vitin 2015.

Kreu i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus, i quajti të dy projektet reklama politike, megjithëse televizionet në Shtetet e Bashkuara pasqyrojnë rregullisht çdo aktivitet apo deklaratë të ish sekretares së shtetit Clinton.

Reince Priebus, Komiteti Kombëtar Republikan
"Nëse ju i realizoni këto projekte, ne nuk do të bashkëpunojmë me ju për zgjedhjet", tha kreu republikan, duke shtuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në debatet televizive të këtyre dy rrjeteve për zgjedhjet presidenciale të 2016-s.

Por asnjëri prej televizioneve nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet nga projektet. Rrjeti NBC tha se miniseriali i tij do të transmetohet përpara se fushata të ketë filluar. Ndërsa CNN përmes një deklarate la të kuptohet se mospjesmarrja e republikanëve në debate do të ishte një shërbim i keq që do t'u bëhej votuesve.
XS
SM
MD
LG