Lidhje

Hip-hopi dhe tradita laosiane


Çfarë ndodh kur hip-hopi ndërlidhet me një traditë të lashtë të Azisë juglindore për poezi në Amerikë? Një nga rezultatet është bashkëpunimi i pazakontë mes një reperi të ri dhe gjyshes së tij.

Historia amerikane e një emigranti zakonisht ndjek disa pika themelore. Gjenerata e parë i qëndron besnike traditave të tyre nga “bota e vjetër.” Fëmijët e tyre përpiqen të bëhen “amerikanë.” Pastaj, brezi i tretë, nipërit shpesh kthehen prapa për të mësuar rreth kulturës të gjyshërve të tyre.


Jemi në një pazar në qytetin St. Paul, të Minesotës. Një grua e moshuar këndon në dialektin të fisit Hmong (mung) të Laosit. Ajo ka veshur një çallme lejla të hapur, një fustan të zi me detaje shumëngjyrëshe, një varëse që shkëlqen dhe syze dielli. Afër saj është një djalë i ri, i veshur në të zeza me një kapele dhe xhaketë.

Djali i ri është nipi i saj, Tu Siko Lee, një reper dhe poet, pjesëtar i grupit Delicious Venom. Zonja është gjyshja e e tij 70 vjeçare, Youa Change, praktikante e traditës së lashtë të poezisë të Hmong-ve të quajtur kwv txhiaj.

Hmong-ët janë një fis nga Laosi të cilët mbështetën Shtetet e Bashkuara gjatë luftërave të Amerikës në Azinë juglindore. Kur luftërat mbaruan, shumë nga ata erdhën në Shtetet e Bashkuara, dhe një numër i madh u vendosën në shtetin e Minesotës. Për Tu Sik-un, ky bashkim i pazakontë me gjyshen e tij filloi pasi ai shkoi të vizitonte Azinë juglindore për t’u njohur me rrënjët e tij.

“Pata mundësinë për t’u kthyer në Tajlandë - unë kam lindur në një kamp refugjatësh në Ng Tai atje. Ishte një përvojë e mrekullueshme për mua, të mësoja rreth artit nëpërmjet poezisë, fjalës së thënë.

Udhëtimi bëri të mundur që ai të mësonte rreth shumë mënyrave të ndryshme që Hmong-ët përdorin për t’u shprehur në mënyrë artistike.

“Ndjeva një lidhje sidomos me kwv txhiaj, e cila është tradita e poezisë të Hmong-ëve”.

Dhe kjo nuk është e papritur. Gjyshja e tij kishte qenë poeteshë e kwv txhiaj në Laos.

“Kur po rritesha nuk mund ta kuptoja kwv txhiaj. Ajo dukej si diçka që vetëm të moshuarit e praktikonin. Por unë në atë kohë ndjeja një lidhje me hip-hopin. Por, kur u rrita, kuptova se ç’kam bërë unë me atë që gjyshja bën ishin të lidhura”.

Kwv txhiaj i jepte zë gjyshes së tij – duke përdorur poezinë për të ilustruar eksperiencën e saj. Ishte e njëjta gjë që ai bënte nëpërmjet hip-hopit.

“Mendova se ishte e rëndësishme të bashkoja këto dy forma arti dhe t’i tregoja brezit të ri se mund të nderoj atë që bëjnë të moshuarit”.

Në të njëjtën kohë, ai thotë, të interpretuarit krahas gjyshes së tij, i dërgon një mesazh të rëndësishëm brezit të vjetër, se zhaneri i hop-hopit nuk është negativ.
XS
SM
MD
LG