Lidhje

Roli i votuesve hispanikë në zgjedhjet e nëntorit


Hispanikët përbëjnë pakicën që po rritet më me shpejtësi në SHBA

Presidenti Barak Obama tha se vendimi i administratës së tij për të ndaluar deportimin e një kategorie të caktuar imigrantësh të cilët kanë ardhur në SHBA ilegalisht si fëmijë me prindërit, është “vendim i drejtë”. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se nuk ka kuptim të dëbohen njerëz të të rinj të talentuar, thjesht për shkak të veprimeve të prindërve të tyre ose për shkak të mosveprimit të politikanëve.

Hispanikët përbëjnë pakicën që po rritet më me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara dhe një segment gjithnjë e më të rëndësishëm të popullsisë votuese, veçanërisht në shtetet e ashtuquajtura të pavendosura si Colorado, New Mexico dhe Nevada ku mund të luajnë një rol përcaktues në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Anketat e fundit tregojnë se numri i hispanikëve që mbështesin Presidentin Obama është dy herë më i madh se sa ai i atyre që mbështesin kandidatin e mundshëm republikan, Mitt Romney.

Luis Torres dhe Willie Fernandez menaxhojnë një kompani në Houston që bën meremetimet përfundimtare në projekte ndërtimi.

Por kur bëhet fjalë për politikën, ata janë në skaje të kundërta. Fernandez është më kritik ndaj Presidentit Obama, kandidati demokrat.

Por ndërsa Luis Torres e mbron Presidentin Obama, ai nuk është ende i sigurt së për kë do të votojë në nëntor.

“Herën e kaluar votova për Obamën. Jam i zhgënjyer, sepse nuk më duket se ka bërë shumë. Nuk e di nëse është faji i politikës, por ai nuk i ka plotësuar premtimet që bëri”.

Në fjalimet e fundit, Presidenti Obama ka thënë se i duhet më shumë kohë për të zgjidhur problemet e mëdha ekonomike të vendit.

“E di që kemi kaluar disa vite të vështira dhe se megjithëse kemi pasur shumë arrritje, ka ende shumë për të bërë”.

Ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mitt Romney diskutoi për ekonominë në një fjalim të kohëve të fundit në Uashington, para një grupi pronarësh hispanikë biznesesh të vogla.

“E di që sa më shumë mirëqenie, aq më shumë mundësi për juve, për familjet tuaja, për punonjësit tuaj, komunitetet tuaja dhe për vendin”.

Ajo që zoti Romney nuk përmendi ishte politika e tij e rreptë për emigracionin e paligjshëm, që për disa përkrahës si Willie Fernandez është shqetësues.

“Duhet të zgjedhim të keqen më të vogël, duhet të jemi realistë. A jam i kenaqur me të? Jo! Po me Obamën? Jo!”.

Si Torres edhe Fernandez janë tashme qytetarë amerikanë; Torres vjen nga Kolumbia, ndërsa Fernandez nga Kuba. Të dy janë në favor të një reforme të imigracionit dhe mendojnë se do të ishte e dëmshme që të deportoheshin miliona punëtorët që janë të nevojshëm këtu.

Një tjetër çështje shqetësuese për Luis Torres është se numri i zyrtarëve të zgjedhur hispanikë nuk është në përpjestim të drejtë me përmasat e popullsisë hispanike në shumë shtete dhe përqindja e hispanikëve që votojnë është e ulët.

“Hispanikët duhet të mbështesin kandidatët e tyre dhe të kontribuojnë për zgjedhjen e tyre, që të kenë përfaqësim më të madh”.

Por Willie Fernandez mendon se përkatësia etnike e kandidatëve po merr më shumë theks se ç’duhet.

“Nëse zgjidhesh nga votuesit, duhet t’i përfaqësosh ata, cilido që të jesh. Nuk mund të përfaqësosh një grup ose një tjetër, por popullin në përgjithësi”.

Si Torres, edhe Fernandez besojnë në sistemin demokratik dhe do të votojnë në nëntor, por asnjëri prej tyre nuk është ende i sigurt për cilin nga kandidatët.
XS
SM
MD
LG