Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 1 dhjetor?


1083 - Lindi Anna Komnena, historiane bizantine, bija e perandorit Aleks Comnenus dhe e Irena Dukas. Ana komplotoi që i vëllai të mos e merrte fronin; por u zbulua dhe së bashku me të ëmën mbyllen në manastir, ku Anna kaloi jetën e saj dhe shkroi historinë prej 8 vëllimesh e njohur si Aleksiada; përshkrim i kryqezatës së parë nga këndveshtrimi bizantin. Në libër, Ana tregon mbi pushtimin e Shqipërisë nga normanët dhe se si Robert Guiskard a Duka i Pulias, (rivali i babait të saj perandorit Aleks) rrethoi Durrësin në vitin 1081, fitoi, dhe u vu në ndjekje të perandorit. Anna Comnena e përshkruan ngjarjen me hollësi, duke përmendur disa toponime të asaj kohe si "KakePleurë (Ndroq), Charzanes (Erzen), Achrida (Ohri), Babagora (Krraba)", etj. Anna Komnena vdiq më 1153.

1622 - Vdiq Pjetër Budi, shkrimtar i letërsisë së herëshme shqipe, autor librash fetarë në shqip. Lindi në Mat më 1566; u largua nga vendi i pashkollë; arsimin fetar e mori në kolegjin Illyricum në jug të Ankonës në Itali, pastaj shërbeu si prift në rajone të ndryshme të Ballkanit; Bosnie, Kosove, Maqedoni, Shqiperi; libri i tij më i njohur fetar është Doktrina e Krishterë. Budi është poeti i parë i mirëfilltë i letërsisë shqipe; ai shkroi rreth 3 mijë e 500 vargje me karakter moral e fetar.

Madhështia e njerëzve

(Pjetër Budi)

Ku janë ata pleq bujarë,

që qenë përpara ne,

e ata trima sqimatarë,

të shpejtëtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri,

të bukur e të lulzuom,

që pate pamë me sy,

me ta folë e ligjëruom?

Ku janë ata zotëninj,

që dojin me zotënuom

ndë sqimë e ndë madhështi,

këte jatë tue shkuom?

Ku janë ata perandorë

gjithë shekulli nalcuom,

në krye me një kunorë

gurëshi cë paçëmuom?

Ku janë ata letërorë

t'urtë e dijes të ndëgjuom,

të bardhatë posi borë

letëra tue kënduom?

Ku janë ato gra e vasha

ndë sqimë e ndë madhështi,

me petëkat të mëndafshta

nalcuom mbë zotëni?

Gjithë mortja i rrëzoi,

sikur i pret me shpatë,

për të ri s'i shikoi,

as të vobegë, as të begatë.

1913 - Kreta, që kishte fituar autonominë nga Turqia, pas Luftës së Parë Ballkanike, aneksohet nga Greqia.

1918 - Shpallet Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (e njohur më vonë si Mbretëria e Jugosllavisë )

1934 - Në Bashkimin Sovjetik, anëtar i Byrosë Politike Sergei Kirov qëllohet për vdekje nga Leonid Nikolaev në selinë e Partisë Komuniste në Leningrad.

1955 - Lëvizja për të Drejtat Civile Amerikane: Në Montgomery, Alabama , rrobaqepësja Rosa Parks refuzon t'i lirojë vendin në autobus një të bardhi dhe arrestohet për shkelje të ligjeve të ndarjes racore të qytetit; ky incident çon në bojkotim autobusëve në Montgomery.

Mendim i ditës

"Koha në rrjedhën e saj të papërmbajtshme përmbyt të gjitha gjërat e krijuara dhe i tërheq ato në thellësitë e errësirës".

Anna Komnena

XS
SM
MD
LG