Lidhje

Viti 1963 në histori


World 1963

World 1963

Pesëdhjetë vjet më parë, më 1963, njerëzit u bënë dëshmitarë të një sërë ngjarjesh me rëndësi. Atë vit u vra Presidenti amerikan John Kennedy, Papa Pali VI u bë kreu i katolikëve të botës dhe Martin Luther Kingu mbajti një nga fjalimet më historikë të shekullit. Ishte një vit që, në një farë kuptimi, ndryshoi historinë dhe mbolli farën e shumë gjërave që do të vinin më pas.

1963-shi ishte vit i diplomacisë: pengesat mes Evropës, Amerikës dhe madje Rusisë po binin... simbol i kësaj ishte udhëtimi i pikturës së famshme të Da Vinçit, Mona Lisa në Uashington.

Presidenti amerikan Kennedy solli një frymëmarrje të re në skenën politike të botës dhe kudo ndihej një atmosferë optimizmi. Por në fund të atij viti plot ngjarje, pesimizmi u rishfaq.

Në vitin 1963, gara në hapësirë ishte bërë simbol i hendekut mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Konkurrenca e superfuqive për të sunduar gjithësinë iu shtua acarit në rritje të Luftës së Ftohtë.

Peter Kuznick, profesor në Universitetin Amerikan në Uashington, thotë se Kennedy udhëhoqi përpjekjet diplomatike për të zbutur marrëdhëniet, duke filluar me dëshirën për të rritur bashkëpunimin në hapësirë.

"Kennedy shtroi nevojën për t'i dhënë fund garës në hapësirë. Ai donte bashkëpunim me Bashkimin Sovjetik për ta bërë eksplorimin e hapësirës së bashku. Kjo e dallonte atë", thotë zoti Kuznick.

Në qershor Presidenti vizitoi Gjermaninë e ndarë dhe u prit me brohoritje.
Porta e Brandenburgut, e rrethuar me tela me gjemba, ndante Lindjen nga Perëndimi.
Duke e shpallur veten qytetar të Berlinit, fjalimi i tij historik u dha zemër berlinezëve të rrethuar nga Gjermania Lindore komuniste.

Erërat e ndryshimit po frynin edhe në Kishën katolike. Papa Gjoni XXIII hapi Koncilin e II të Vatikanit, i cili do të sillte më shumë laicitet në administrimin e punëve kishtare.
Amerika Latine po bëhej gjithnjë e më e paqendrueshme me grushte shteti që ndodhnin kudo në rajon.

Fidel Kastro vazhdonte të ishte udhëheqësi i Kubës komuniste, megjithë operacionin amerikan në “Gjirin e Derrave" që synonte eliminimin e tij. Në qershor 1963, ai vizitoi Moskën.

Në Shtetet e Bashkuara, fushata për të drejtat civile ishte duke përparuar. Më 28 gusht, 1963, 200.000 amerikanë marshuan drejt Përmendores së Lincolnit në Uashington për të kërkuar të drejta civile, punë dhe liri.

Një prej udhëheqësve të tyre, Martin Luther King, mbajti një fjalim që pati mjaft jehonë në histori. Profesor Peter Kuznick, shpjegon se sa i rëndësishëm ishte viti 1963 për lëvizjen e të drejtave civile:

"Martin Luther King ishte një pjesë e rëndësishme e lëvizjes. Duhet të kuptoni se çfarë ishte duke ndodhur në vitin 1963 për të kuptuar fjalimin e tij.”

Më 11 qershor të atij viti, Guvernatori i shtetit Alabama, George Wallace, mbajti një qëndrim simbolik kundër integrimit racor në Universitetin e Alabamës. Ai sfidoi urdhërin e një gjykate federale për të lejuar dy studentë zezakë të regjistroheshin në universitet. Wallace u tërhoq kur trupat e Gardës Kombëtare u lejuan në kampus dhe studentët mundën të hyjnë në shkollë.

Lëvizja për të drejtat civile, liberalizimi i shoqërisë dhe protestat kundër luftës në Vietnam nxitën lindjen e kundërkulturës hipi.

"Atë vit, ne shohim lindjen e kundërkulturës. Kjo është pjesërisht një protestë kundër statukuosë, kundër forcave që përpiqen të pengojnë ndryshimin. Rebelimi do të merrte forma të ndryshme, si formën e revolucionit seksual apo të lëvizjes feministe. Ndryshoi stili i veshjeve dhe i flokëve. Bitëllsat ishin gati të zotëronin skenën.”

Në Vietnamin e trazuar, qershori shënoi fillimin e rebelimit që çoi në përmbysjen e Presidentit të Vietnamit të Jugut Ngo Dinh Diem, i cili mbështetej nga amerikanët.
Pastaj, më 22 nëntor 1963 bota ndryshoi. Lee Harvey Oswald vrau Presidentin Kennedy kur makina e tij e hapur po kalonte në qendër të Dallasit. Presidenti vdiq në krahët e gruas së tij Jacqueline. Dy ditë më vonë Lee Harvey Oswald u vra.
Kuznick thotë se që nga ajo ditë, historia nuk e mori veten kurrë.

"Mendoj se po të kishte jetuar Kennedy në vitin 1963, po të mos kishte ndodhur vrasja, bota mund të kishte ndryshuar, Lufta e Ftohtë mund të kishte marrë fund dhe Vietnami mund të ishte shmangur.”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG