Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 9 shkurt?

  • Astrit Lulushi

William Henry Harrison

William Henry Harrison

1773 – Lindi William Henry Harrison, president IX i Shteteve te Bashkuara (vetëm për një muaj). Maksima e tij ishte “nil desperandum” (mos u dëshpëro). Dhe optimizmi i duhej. Si ushtarak, nuk pati sukses; përpjekjet për t’u zgjedhur senator dështuan; kriza ekonomike e viteve 1830 e la thuajse pa asnjë fond dhe familja e tij (ai kishte 9 fëmijë) u ndodh në prag të varfërisë. Biografët thonë se jeta e William Harrisonit është mësim se nëse qëndron mjaft gjatë në politikë njeriu mund të bëhet president (pavarësisht se çfarë ndodh më pas). Harrison vinte nga familje e shquar e Virginias; i ati i tij kishte qenë nënshkrues i deklaratës amerikane të pavarësisë; dhe dukej se Harrison sikur kishte lindur për t’u bërë president, dhe u bë. Fushata e zgjedhjeve presidenciale (1840) ishte e lodhshme për Harrisonin 68 vjeçar. Por gëzimi i fitores zbehu lodhjen, dhe dimrin; më 9 shkurt 1841, ditë me borë, presidenti i sapozgjedhur duke refuzuar umbrellën, eci nëpër rrugët e kryeqytetit Uashington mes turmës që e përshëndeste. Ditën e përurimit, 4 mars, (ftohtë) ai nuk pranoi një karrocë të mbuluar por parakaloi në bulevardin Pensilvania hypur në kalin e tij; Në tribunë, Harrison qëndroi pa pallto, pa kapelë, pa dorashka, në të ftohtë, ndërsa foli për 1 orë e 40 minuta. Një muaj më vonë, më 4 prill, presidenti Harrison vdiq në Shtëpinë e Bardhë, nga pasojat e të ftohtit.
1885 - Japonezët e parë mbërrijnë në Hawaii për të plotësuar nevojat e punës në plantacionet e sheqerit. Pas Aktit amerikan për moslejimin e emigrantëve nga Kina (1882), kultivuesit u kthyen nga Japonia për fuqi punëtore. Ata ishin kryesisht nga Hiroshima Yamaguchi, dhe Kumamoto.
1885 - Në Vienë lindi Alban Berg kompozitor austriak anëtar i Shkollës së dytë vjeneze të muzikës. Berg kujtohet si një nga kompozitorët më të rëndësishme të shekullit të 20-të. Ai njihet për aplikimin e sistemit të dymbëdhjetë - tonacioneve (teknikë muzikore që përdoret si mjet për të siguruar përdorimin e 12 notave të shkallës muzikore duke parandaluar theksimin e një note të veçantë. Aban Berg vdiq më 1935 i helmuar nga një pickim insekti, la pas një vajzë me emrin Albina.
1886 - Presidenti amerikan Grover Kleveland shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Seattle të shtetit Uashington për shkak të shpërthimit të dhunës kundër emigrantëve kinezë.
1893 - Opera e Verdit "Falstaff shfaqet për herë të parë në teatrin La Scala të Milanos. Libreti bazohet në incidentet komike nga Henry V I prej Shekspirit. Verdi e kompozoi Falstaff kur ishte 80 vjeç dhe kjo ishte opera e tij e fundit. Verdi kompozoi gjithsej 28 opera. Falstaff ishte gjithashtu e treta me libret bazuar në veprat e Shekspirit (pas Makbethit dhe Otellos). Si çdo oper e Verdi, edhe Falstaff u prit me interes në Itali, por gjetkë në Evropë e SHBA, ajo nuk u popullarizua deri në dekadat e para të shekullit XX kur dirigjenti Arturo Toscanini këmbënguli në rivënien e saj në skenë në La Scala dhe Metropolitan në Nju Jork. Falstaff është tani pjesë e rregullt e repertorit të operave botërore
1895 - Shpiket Volleybolli nga William Morgan në Massachusetts. Emri "Volejboll" erdhi pas një demonstrimi, kur një spektator komentoi se loja përfshinte shumë "volleying" (goditje (topi) në ajër) dhe kështu lojës i mbeti emri “Volleyboll”.
1933 - Ftohje gobale - Temperaturat zbrezin minus 53 gradë Celsius në Moran, Wyoming. Një vit më vonë, 1934, po këtë ditë temperatura shënon minus 25.7 gradë C , dita e më i ftohtë në qytetin New York; dhe minus 46 gradë C në Vanderbilt, Michigan.
1934 - Formohet aleanca e Ballkanit (Jugosllavi, Greqi, Turqi dhe Rumani) për të ruajtur integritetin e tyre territorial ndaj synimeve bullgare për zgjerim. Kjo aleancë ishte e ngjashme me Aleancën e formuar nga Jugosllavia, Rumania, dhe Çekosllovakia për të ndalur zgjerimin hungarez. Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore sollën shpërbërjen e këtyre aleancave.
1960 - Tetë pllakat e para të yjeve prej bronzi vendosen në Bulevardin e Famës në Hollivud, ku sot ndodhen më shumë se 2,500 yje të ngulitur në trotuare përgjatë Bulevardit prej 3 kilometrash, që vizitohet çdo vit nga mbi 10 milionë njerëz. Këta Yje janë monumente të përhershme publike për arritjet në industrinë argëtuese, duke mbajtur një përzierje emrash; aktorë, muzikantë, regjisorë producentë, grupe muzikore, teatrale, karaktere imagjinarë, dhe të tjerët. Aktori John Belushi është i vetmi shqiptar në këtë Bulevard. Belushi vdiq më 5 mars 1982 në Hollywood, pasi kishte marrë në sasi të mëdha një përzierje drogash kokainë dhe heroinë; Ai ishte 33 vjeç, i ri, por la gjurmë si komedian; 22 vjet pas vdekjes, Ylli me emrin “John Belushi” u vendos në Bulevardin e Famës.
Mendim i ditës
“Lumturia nuk është gjendje ku njeriu duhet të mbetet përgjithmonë. Unë jap aq shumë kënaqësi për kaq shumë njerëz. Pse të mos kënaqem pak për veten time?”
John Belushi
XS
SM
MD
LG