Lidhje

Ekspozitë mbi historinë e biznesit amerikan


Muzeu Kombëtar i Historisë Amerikane, Smithsonian është një nga pikat më të njohura turistike në Uashington, me më shumë se 5 milionë vizitorë çdo vit. Muzeu sapo ka hapur një ekspozitë të re (më 1 korrik), mbi historinë e zhvillimit të Amerikës nga një vend i varur nga bujqësia në një vend me ekonominë më dinamike në botë. Materiali në vazhdim na njeh më hollësisht me ekspozitën "American Enterprise", e cila nënvizon frymën sipërmarrëse të Amerikës.

Një karrocë druri e përdorur nga sipërmarrëset femra më 1840, telefoni i Alexander Graham Bell-it, një traktor Fordson, një nga serverat e parë të kompanisë Google, dhe një kabinë e bursës së Nju Jorkut nga viti 1929 kur tregjet financiare ranë në kolaps janë në mesin e 600 objekteve të shfaqura në ekspozitën American Enterprise. Një numër i madh objektesh nga sektorë të ndryshëm ekonomikë është shfaqur për të treguar historinë e biznesit amerikan.

Peter Liebhold është kurator i ekspozitës.

"Shumë prej tyre janë thesarë të çmueshëm kombëtar që vërtetë të japin një ide mbi dramën e historisë amerikane. Kjo ekspozitë tregon se për ta kuptuar historinë amerikane, ju duhet të shikoni historinë e biznesit".

"American Enterprise" është një nga ekspozitat e rëndësishme në Muzeun Kombëtar të Historisë Amerikane. Ajo mbulon historinë e biznesit të vendit, nga epoka tregtare e viteve 1700 deri në epokën e tanishme globale.

John Gray është drejtor i muzeut.

"Ekspozita American Enterprise trajton marrëdhënien e integruar mes demokracisë dhe kapitalizmit, individit dhe shoqërisë së korporatave për të mirën e përbashkët. Kjo ekspozitë pasqyron këtë proces konstant dhe të vazhdueshëm".

Muri i biografisë tregon historitë e suksesit dhe dështimit të më shumë se 80 sipërmarrësve. Llampa e shpikësit Thomas Edison është e vendosur aty, por edhe një kukull e tij që flet, një lodër për fëmijë që nuk arriti të kapte zemrat e konsumatorëve në fillim të vitit 1890.

"Këto nuk janë biografi të gjata, por momente të mrekullueshme që flasin për sukseset dhe dështimet, për sfidat, fuqinë dhe për pasurinë. Ajo i jep një ndjenjë personale ekspozitës," thotë zoti Liebhold.

Rritja e kulturës së konsumit në Amerikë është ilustruar me shfaqjen e reklamave popullore në radio, televizion dhe platforma të tjera dixhitale që nga viti 1950 deri në ditët e sotme.

"American Enterprise është historia e re e biznesit që e vë konsumatorin në histori. Nuk trajton vetëm historinë e prodhuesve dhe të punëtorëve, por edhe atë të konsumatorëve. Sepse duke shikuar konsumatorët në treg, reklamat bëhen një element vërtetë i rëndësishëm," thotë Peter Liebhold​.

Në një galeri ndërvepruese, vizitorët mund të provojnë aftësitë e tyre të vendimmarrjes në ndërtimin e bizneseve të suksesshme.

"Mendoj se këto lojëra ndërvepruese ndihmojnë njerëzit të mësojnë disa koncepte themelore. Përveç kësaj, këtu ka gjëra të mëdha, dhe objektet janë fantastike," thotë një vizitore.

Zyrtarët e muzeut shpresojnë se ekspozita American Enterprise do të ndihmojë vizitorët të kuptojnë rolin që biznesi ka luajtur në historinë amerikane.

XS
SM
MD
LG