Lidhje

Historia e 90 vjeçari që mban fermë pranë Uashingtonit


Historia e 90 vjeçari që mban fermë pranë Uashingtonit
Historia e 90 vjeçari që mban fermë pranë Uashingtonit

90 vjeçari Çarli Koiner kujdeset për një copë toke jo shumë larg një qendre plot aktivitete afër Uashingtonit. Ai ka kultivuar këtu fruta dhe zarzavate, që kur kjo lagje ishte e pazhvilluar, dhe i shiste prodhimet e tij në tregjet e fshatarëve. Edhe tani që zona përreth është zhvilluar, ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ferma e tij, dhe duket se edhe klientët e tij po i qëndrojnë besnikë.

Është një ditë tipike në qendër të Silver Springut, në periferi të Uashingtonit. Disa blloqe nga këtu dhe me një pamje krejt ndryshe, shtrihet ferma e Çarli Koinerit.

“Do ta punoj këtë copë tokë dhe në vjeshtë do të mbjell përsëri sallatë”.

Çarli ka kultivuar fruta dhe zarzavate të ndryshme në këtë toke pranë shtëpisë së tij, që kur e bleu para 30 vjetësh. Ai e cilëson atë investimin më të mirë, që ka bërë, dhe kjo jo nga ana financiare.

“Kam një sipërfaqe toke prej 4 mijë metrash katrore, e mjaftueshme për të mbjellë çdo gjë. Kultivimi i këtyre prodhimeve më krijon mjaft punë dhe kjo më pëlqen”.

I lindur dhe rritur në një fermë të familjes, që tani është kthyer në një qendër dyqanesh në një lagje me zhvillim të shpejtë në periferi të Uashingtonit, Çarli është marrë me të mbjella gjatë gjithë jetës.

“Ajo ishte pronë e gjyshit tim. Ai kishte rreth 12 hektarë tokë, sipërfaqe më se e mjaftueshme për të rritur kuaj, gjedh e pula si dhe për të kultivuar bimë të ndryshme”.

Ai është krenar për prodhimet që kultivon në tokën e tij. Klientët ndalojnë këtu shpesh për t’i blerë ato. Shumë prej tyre janë të rregullt, si Martha Grundman, e cila rastësisht e zbuloi fermën e Çarlit para 7 vjetësh.

“Po kthehesha nga puna një ditë dhe pashë një tabelë në qoshe të rrugës, që reklamonte shitjen e frutave dhe zarzavateve dhe gjeta këtë fermë në mes të Silver Springut”.

Barbara Stein blen prodhime nga Çarli çdo javë.

“Në fillim të viteve 80-të, nëna dhe tezja ime blenin prej tij. Mua më pëlqen të bisedoj me Çarlin. Ai është shumë i këndshëm dhe më pëlqejnë shumë prodhimet e tij. Edhe çmimet i ka shumë të mira dhe ndjehem si një kliente besnike e tij”.

Të shtunat janë më të ngarkuarat për Çarlin. Ai i shet prodhimet e tij në një treg fshatarësh aty pranë. Çarli thotë se nuk do të mund ta bënte gjithë këtë punë pa të bijën Lin.

“Unë u rrit në fermë me babanë tim. Jam fëmija e vetme. Dhe në fermë ndoqa babanë kuqo që shkonte. Punova në fermë jo sepse më duhej, por sepse më pëlqente. Jam si babai im, nuk mund të jetoj pa fermën tonë”.

Lin, tani 65 vjeç, mban mënd reagimin e firmave të ndërtimit kur babai i tij bleu tokën.

“Sapo babai im e bleu tokën, fillova të merja telefonata nga kompani ndërtimesh, që më pyesnin se ç’do të bënim me tokën. Kur u thosha se do të hapnin një fermë, reagimi ishte i pabesueshëm”.

Familja Koiner thotë se ende nuk ka në plan ta shesë fermën. Çarli thotë se gjatë gjithë këtyre viteve ka bërë një jetë të mirë në fermën e tij dhe përderi sa të jetë në gjendje ta vazhdojë këtë lloj jete, ai do të bëjë të njëjtën gjë që ka bërë në fermën e tij për një kohë kaq të gjatë.

XS
SM
MD
LG