Lidhje

Historia e Gjykatës së OKB-së për krimet e luftës në ish Jugosllavi

  • Andre Nesnera

Historia e Gjykatës së OKB-së për krimet e luftës në ish Jugosllavi

Historia e Gjykatës së OKB-së për krimet e luftës në ish Jugosllavi

Ish udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjes, gjenerali Ratko Mlladiç, është i pandehuri më i fundit që del para Gjykatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish Jufosllavi me seli në Hagë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera i hedh një vështrim historisë së gjykatës dhe punës së saj.

Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë u krijua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në maj të vitit 1993 për të nxjerrë para drejtësisë personat e akuzuar për krime të kryera gjatë konfliktit të Bosnjes në periudhën 1992-1995. Llogaritet se 100 mijë njerëz u vranë dhe 2 milion të tjerë u shpërngulën si pasojë e luftimeve.

Kjo ishte hera e parë që krijohej një gjykatë për krime lufte që kur udhëheqësit e Gjermanisë naziste u ndoqën penalisht në gjyqet e Nurembergut dhe zyrtarët japonezë në gjyqet e Tokios.

Ekspertët thonë se ndryshe nga gjyqet e Nurembergut dhe të Tokios, Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë u krijua gjatë kohës së luftës.

David Kaye, ekspert i ligjit ndërkombëtar në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, UCLA, thotë se Kombet e Bashkuara kishin një arsye të vaçantë për ngritjen e gjykatës ndërkombëtare gjatë konfliktit, e ajo ishte shkurajimi.

“Nëse ekzistonte një mekanizëm që do t’i vinte individët para përgjegjësisë, kjo mund të bënte që njerëzit në terren, përfshirë këtu edhe autoritetet ushtarake e politike, të ishin përgjegjëse për këto lloj krimesh, mund t’i bënte që ata të mendoheshin mirë, sepse po të kryenin krime të tilla, mund të paditeshin dhe të dërgoheshin në Hagë për t’u gjykuar”.

Marko Hoare, ekspert i çështjeve të Ballkanit në Universitetin Kingston të Londrës, parashtron një arsye tjetër.

“Gjykata e Hagës u krijua në një kohë që dukej se Perëndimi dhe komuniteti ndërkombëtar po vepronin shumë keq, ata dështuan të arrinin paqen. Lufta po acarohej dhe përkeqësohej para syve të tyre, pra krijimi i gjykatës u pa si një alternative në mungesë të veprimit, me që komuniteti ndërkombëtar nuk mori ndonjë hap për të ndalur krimet, të paktën u krijua një gjykatë për të dënuar autorët e këtyre krimeve. Pra ishte një alternativë në vend të masave për parandalimin e krimeve”.

Çdo akt-padi në Gjykatën e Hagës për ish Jugosllavinë dëgjohet nga 3 gjykatës dhe dënimi arrihet me 2 vota. Dënimi mund të apelohet dhe dëgjohet nga 5 gjykatës të tjerë. Dhe me që kjo është gjykatë e Kombeve të Bashkuara, nuk jepet denimi me vdekje, dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm.

Zyrtari më i lartë që është gjykuar në Hagë ishte ish presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Miloseviç, i akuzuar për genocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës.

Marko Hoare thotë se Milloseviçi e përdori gjykatën si mjet propagande.

“Ai nuk u përpoq të vetëmbrohej nga akuzat. Ai nuk miratoi një strategji ligjore; dukej se ai e përdori gjyqin si platformë ku mbante fjalime politike. Deri diku, ai i zgjati procedurat sa më shumë që pati mundësi dhe e shndëroi gjykatën në një cirk. Kjo bëri që gjyqi të shtyhej deri në atë pike sa ai vdiq në Hagë dhe si rezultat ai mbeti pa u dënuar”.

Ekspertët thonë se vdekja e Milloseviçit në mars të vitit 2006, disa muaj para se të shpallej dënimi, ishte një goditje e rëndë për gjykatën e Hagës.

Por David Kaye thotë se me kalimin e viteve gjykata e Hagës ka fituar besimin e institucionit ligjor.

“Ajo ka zhvilluar dhjetra gjyqe. Gjyqe për serbë dhe kroatë të Bosnjes, për boshnjakë muslimanë, për shqiptarë të Kosovës dhe për serbë në Serbi dhe për maqedonas. Gjykata e Hagës e ka shtrirë punën e saj në të gjithë luftërat e ish Jugosllavisë në vitet 90-të. Prandaj mund të thuhet se ajo e ka fituar besimin e duhur dhe në përgjithësi gjyqet kanë qënë të drejta”.

Që prej krijimit, gjykata ka ngritur aktpadi kundër 161 personave dhe ka përfunduar procedurat ligjore për 126 prej tyre. 64 veta janë dënuar dhe 13 janë shpallur të pafajshëm.

I pandehuri më i fundit shumë i njohur, që doli para Gjykatës së Hagës është ish udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjes, gjenerali Ratko Mlladiç. Ai u arrestua muajin e kaluar dhe doli për herë të parë para Gjykatës së Hagës më 3 qershor. Aktualisht Gjykata e Hagës po gjykon edhe ish udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, gjyqi i të cilit vazhdon që prej tetorit të vitit 2009.

Tani mbetet vetëm një person, që i ka shpëtuar gjykatës ndërkombëtare të OKB-së. Ai është Goran Haxhiç, ish presidenti i së ashtuquajturës “Republika Serbe e Krajinës” në Kroaci. Ai është akuzuar për vrasje, persekutim, shfarosje dhe torturë.

XS
SM
MD
LG