Lidhje

SHBA: Një histori e debateve mes kandidatëve


Kandidatët për president në Shtetet e Bashkuara, demokrati Barack Obama dhe republikani Mitt Romney zhvillojnë sonte në Denver të Kolorados debatin e parë. Historiku i debateve presidenciale tregon se si disa prej këtyre debateve mund të kenë ndryshuar kursin e zgjedhjeve.

Një prej debateve të para politike në Shtetet e Bashkuara u zhvillua në shtetin e Ilinoit në vitin 1858. Kandidatët për Senat, Abraham Lincoln dhe Stephen Douglas qëndruan mbi këtë shkëmb dhe debatuan rreth skllavërisë. Lincolni e humbi atë garë por pas dy vjetësh fitoi zgjedhjet presidenciale. Dhjetra mijëra njerëz shikuan debatin në këtë park.
Pas 100 vjetësh, shumë njerëz filluan t’i ndjekin debatet presidenciale nëpërmjet një teknologjie relativisht të re, në televizion.

Senatori John F. Kennedy, i nxirë nga dielli, nga ana vizuale tregoi epërsi ndaj nënpresidentit Richard Nixon, i cili dukej nervoz dhe e kishin mbuluar djersët. Gazetari Howard K. Smith drejtoi debatin.

“Ne i ofruam Nixonit makjazh për kameran, por në atë kohë televizioni ishte një medium i ri për politikanët dhe makjazhi konsiderohej si diçka për femrat dhe ai nuk e pranoi,” kujton drejtuesi i debatit.

Zoti Kennedy fitoi zgjedhjet dhe disa thonë se këtë e arriti pjesërisht si rezultat i debatit.

Do të kalonin 16 vjet para se të zhvillohej një debat tjetër presidencial, i cili u duk se i kushtoi shtrenjtë fushatës për rizgjedhje të Presidentit Gerald Ford. Ai bëri një deklaratë të gabuar kur u përball me rivalin demokrat, Jimmy Carter dhe në fund humbi zgjedhjet.

“Nuk ka dominim sovjetik të Evropës Lindore dhe nuk do të ketë kurrë një dominim të tillë në administratën Ford”.

Në vitin 1988, kandidati demokrat për nënpresident Lloyd Bentsen u paraqit shumë më mirë përkundrejt rivalit të tij republikan Dan Quayle.

“Unë kam po aq përvojë në Kongres sa edhe Jack Kennedy kur kandidoi për president”.

“Senator, unë e kam njohur Jack Kennedy-in. Jack Kennedy ishte miku im. Senator, ju nuk jeni Jack Kennedy”.

Sidoqoftë republikanët fituan zgjedhjet dhe George H.W. Bush u bë president.
Në vitin 1992 ai kandidoi për rizgjedhje. Gjatë njërit prej debateve, kamerat e kapën atë duke parë orën e dorës, sikur të mos ishte i interesuar për debatin. Ai i humbi zgjedhjet.

Debatet mund të jenë vendimtare në zgjedhje të ngushta. Dhe kjo sepse për herë të parë amerikanët i shikojnë kandidatët së bashku, duke diskutuar të njëjtat çështje, por duke shpjeguar se pse idetë e tyre janë më të mira se ato të rivalit të tyre.
Çdo katër vjet, kandidatët presidencialë zhvillojnë tre debate dhe i pari tërheq audiencën më të madhe. Një tjetër debat zhvillohet me pyetje nga audienca. Në atë debat para 4 vjetësh, Presidenti Obama u duk i qetë.

Por shumë njerëz janë të një mendimi se Mitt Romney është një orator i mirë, veçanërisht po të përgatitet.
XS
SM
MD
LG