Lidhje

100 vjetori i "Vatrës", diskutim në Bibliotekën e Kongresit Amerikan

  • Ardita Simiçia

14

Këtë vit mbushen 100 vjet që nga themelimi i Federatës Panshqiptare Vatra. Kjo organizatë u shndërrua shpejt në pulsin e një komuniteti, që megjithëse i ri në Shtetet e Bashkuara, po tregonte një shkallë organizimi dhe përkushtimi që krijoi një presion të konsiderueshëm për kauzën shqiptare në të gjitha nivelet e qeverisjes amerikane. Me rastin e këtij përvjetori, Biblioteka e Kongresit amerikan organizoi një diskutim mbi historikun dhe ndikimin e Vatrës.

Ndër 14 mijë titujt mbi Shqipërinë dhe shqiptarët që ka në zotërim Biblioteka e Kongresit, një koleksion impresionues i saj dëshmon rolin dhe trashëgiminë e Federatës Panshqiptare Vatra gjatë 100 vjetëve që nga themelimi i saj.

Komuniteti shqiptaro-amerikan që deri atëherë kishte qenë i organizuar në shoqata me një fokus dhe pjesëmarrje të ngushtë, me themelimin e Vatrës më 28 prill 1912 kishte një federatë të gjerë patriotike, politike dhe kulturore, shpjegon Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu:

“Historia e gjatë dhe kontributet e mëdha dhe të padiskutueshme të Vatrës në aspektin kombëtar shpalosen në hollësi në librin Kalendari të Fan Nolit të botuar në vitin 1918. Që nga themelimi i saj, Vatra ka dëshmuar punën e Nolit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe ka shërbyer për vite si një zë i fuqishëm për të identitetin dhe në ndihmë të konsolidimit kombëtar”.

Në këtë periudhë të ngarkuar me ndryshime historike për kombet e Evropës, beteja për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga aneksimi ishte objektivi kryesor i Vatrës dhe Federata u mobilizua për të siguruar mbështetjen amerikane për çështjen shqiptare.

“Merita e Vatrës qëndron edhe në faktin që nxiti vendimin e qeverisë amerikane të kundërshtojë Traktatin e Londrës dhe bindi presidentin Woodrow Wilson për drejtësinë e kauzës së saj”.

Publicisti Agron Alibali, aktualisht studiues pranë Universitetit të Masaçusetsit, ndalet me shembuj kontretë tek puna e organizatës në përgjigje të kërcënimeve territoriale ndaj vendit. Përmes dokumentave arkivorë nga institucione akademike dhe shtetërore amerikane, ai ofron si shembull reagimin e organizatës ndaj rrezikut të gjymtimit të Shqipërisë në vitin 1920.

“Federata organizoi një fushatë të fuqishme me kontribute dhe aktivitete. Pastaj ata dërguan njerëzit më të mirë, si Fan Noli dhe Mehmet Koniza dhe më pas në 23-24 maj 1920, në Boston u organizua një grumbullim i madh i shqiptarëve nga gjithë Shtetet e Bashkuara si reagim ndaj një rezolute të miratuar në Senatin amerikan. Rezoluta i jepte Greqisë Gjirokastrën dhe Korçën. Delegatët e mbledhur në Boston në një memorandum që nxorën, shprehin revoltim për vendimin për të cunguar Shqipërinë”.

Ilir Ikonomi, autor i librit “Faik Konica: Jeta në Washington” dhe gazetar i Zërit të Amerikës, sjell një këndvështrim më origjinal mbi Vatrën, duke u përqëndruar tek marrëdhëniet dhe tensionet e herëpashershme mes Konicës dhe Fan Nolit, dy figurave të rëndësishme të organizatës:

“Këta dy udhëheqës nuk kishin asgjë kundër njëri-tjetrit për sa i takon dashurisë për vendin. Secili prej tyre e donte vendin. Përse ndodhi kjo? Përse ky debat i ashpër nëpër gazeta? Fan Noli botonte artikuj ku e kritikonte Konicën si një ndër lakejt e Mbretit Zog. Nga ana tjetër, Konica e akuzonte Nolin si komunist”.

Por ajo që i dallonte këto dy figura, shpjegon zoti Ikonomi, është një debat që ngrihej mbi sulmet personale dhe nxitej mbi të gjitha nga bindjet e tyre se çfarë i shërbente në ato momente të mirës së kombit.

Përveç mbrojtjes së interesave shqiptare, një ndër detyrat e Vatrës ishte krijimi i një sensi të kombit shqiptar. Shqiptarët ishin të ndarë në komunitete të ndryshme fetare, disa prej tyre identifikoheshin në bazë të fesë dhe jo etnicitetit. Udhëheqësit e Vatrës kishin detyrën e vështirë të bashkonin të gjithë shqiptarët në mbështetje të interesave të gjera të kombit.

100 vjet pas themelimit të saj, kjo organizatë vazhdon të jetë një forum bashkimi për shqiptarët rreth synimeve dhe interesave kombëtare. Diskutimi në Bibliotekën e Kongresit shënon hapjen e një seri festimesh e aktivitetesh që shënojnë përmbushjen e një shekulli që nga themelimi i Federatës Panshqiptare Vatra dhe përkojnë njëkohësisht edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG