Lidhje

HIV-i në Shqipëri, në rritje konstante

  • Armand Mero

HIV-i në Shqipëri, në rritje konstante

HIV-i në Shqipëri, në rritje konstante

Po të shohësh ecurinë e përhapjes së virusit Hiv në Shqipëri, që nga viti 1992 e deri më sot, është lehtësisht e konstatueshme se rritja ka qenë konstante. Fakti që gjatë 2010 numri prej 41 persona është ndjeshëm më i ulët se një vit më parë, nuk përbën një të dhënë optimiste, aq më tepër që krahasuar me numrin e personave që kanë bërë vullnetarisht testin, rënia është thuajse në të njejtat nivele.

Ndërkaq ajo që vihet re është se një pjesë shumë e madhe e personave të infektuar diagnostikohen kur kanë arritur në fazën e sëmundjes, shpjegon profesori i asociuar Arjan Harxhi, në spitalin Infektiv i cili merret prej shumë vitesh me rastet Hiv/Aids.

"Po të shohim nga ky numër 41 rastesh të diagnostikuar këtë vit rishtazi, mbi 70 përqind e tyre jan në stad simptomatik, mbi 50 përqind e tyre janë në stadin e sëmundjes Aids. Gjë që thotë shumë në disa aspekte: që nuk funksionon testimi masiv vullnetar dhe nga ana tjetër implikimet që ka ky diagnostikim në stad të avancuar për cilësinë e jetës dhe efektshmërinë e terapisë që do u jepet këtyre të sëmurëve".

Fakti që diagnostikimi bëhet në fazë të avancuar dëshmon se një numër më i madh personash mund të jenë infektuar ndërkohë por nga ana tjetër saktëson Harxhi, edhe efektet e terapisë ndaj tyre janë më të pakta: "Janë të sëmurë që paraqesin një sëmundshmëri të lartë, me një larmi infeksionesh, sëmundjesh oportuniste, patologji të ndryshme dhe protokolli përkatës përmban më shumë edhe në drejtim të diagnozës edhe të terapisë.Nga ana tjetër, ajo që është më e rëndësishmja është se efektshmëria e terapisë është më e pakët në stadet e avancuara se sa kur kjo terapi nis më herët".

Dhe këtë e dëshmojnë edhe 8 rastet e vdekjes gjatë 2010 nga të cilët katër persona ishin diagnostikuar gjatë këtij viti, madje njëri nuk arriti as t’i nënshtrohej terapisë, ndërsa dy të tjerë ishin diagnostikuar vitin e kaluar.

Profesori i asociuar Arjan Harxhi shpjegon se këtë vit edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar edhe për Shqipërinë që të rrisë pragun e trajtimit me terapi, pra që kurimet të nisin në një stad më të herët. Një gjë e tillë thotë ai mund të jetë në një moment të parë me kosto më të lartë, por në një aspekt afatgjatë nuk do të rezultojë e tillë pasi sic sqaron, diagnostifikimi dhe trajtimi më i hershëm është dëshmuar edhe nga rekomandimet si një mënyrë parandalimi gjithashtu:

"Eshtë shumë e rëndësishme që strukturat shtetërore të shohin me seriozitet këto rekomandime për të parë cilat janë implikimet e kostos, qoftë afatshkurtëra, afatmesme apo afatgjata të këtyre rekomandimeve të reja sepse presupozohet që numri të jetë më i madh, pra dhe sasia e barnave më e madhe. Duket ndoshta në një pamje të parë sikur kostoja do të jetë më e madhe, por në vlerësimin e një kosto/efektiviteti këto rekomandime janë pozitive pasi futja më herët ndoshta ul ngarkesën e sëmundshmërisë, ul infeksiozitetin, parandalon infeksionin".

Aktualisht janë 139 raste që trajtohen me antiretroviralë nga të cilët 14 janë fëmijë. Pjesa dërrmuese e fëijëve janë infektuar përmes transmetimit të virusit nga nëna dhe 6 prej tyre përmes gjakut.

XS
SM
MD
LG