Lidhje

Raport i ri: Mjekimet kundër HIV dhe lufta kundër SIDA-s


Ndërkohë që afron Dita Botërore e SIDA-s më 1 dhjetor, një raport i ri arrin në përfundimin se një numër rekord njerëzish të infektuar me virusin HIV po mjekohen me ilaçe që u shpëtojnë jetën. Kjo ka rezultuar në uljen e numrit të vdekjeve nga SIDA dhe komplikimet që sjell kjo sëmundje.

Raporti thotë se rreth 1 milion vetë gjetën vdekjen nga komplikime të shkaktuara nga SIDA vjet, krahasuar me dy herë më shumë që vdiqën një dekadë më parë. Agjencia e OKB-së për SIDA-n thotë se ky përmirësim është rezultat i mjekimeve që po marrin 18.2 milionë vetë të infektuar me HIV. Agjencia parashikon që të arrijë objektivin e saj për të mjekuar 30 milionë vetë me këto ilaçe brenda 2020.

Peter Ghys, drejtor i departamentit të informimit pranë Agjencisë së OKB për SIDA-n thotë për Zërin e Amerikës se epidemia mund të mposhtet nëse bëhen investimet e nevojshme për të shtuar shkallën e mjekimeve për pacientët e infektuar me HIV:

“Sipas përllogaritjeve tona, nëse sigurohen fondet brenda 2020, ne mund t’i japim fund epidemisë së SIDA-s brenda 2030. Por pa fonde ky objektiv është pothuajse i paarritshëm,” thotë zoti Ghys.

Aktualisht, agjencia ka 19 miliardë dollarë për të luftuar sëmundjen e SIDA-s dhe HIV-in. Sipas përllogaritjeve të OKB-së, nevojiten 26 miliardë dollarë për shtatë vjetët e ardhshëm për ta zhdukur epideminë brenda 2030.

Si në vitet e kaluara, Afrika Nënsahariane mbetet rajoni me ritmet më të larta të infektimeve me HIV-SIDA. Zoti Ghys thotë se vajza të reja në moshën e pjekurisë, janë në rrezik të madh infektimi. Kjo grup-moshë, shpjegon zyrtari i OKB-së shfaq rimet më të larta të infektimit dhe në shumë raste këto vajza nuk e dinë që janë të infektuara dhe nuk kërkojnë mjekim.

Sipas raportit në botë ka aktualisht 37 milionë vetë me HIV. Vetëm në 2015 pati 2.1 infektime të reja. Një arritje e rendësishme është rënia e infektimeve ndër fëmijë në masën 50% krahasuar me 2010.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG