Lidhje

Hokeji ndihmon një ekip të pazakontë të rinjsh

  • June Soh

Hokeji në akull kërkon ekuilibër, koordinim, fuqi dhe këmbëngulje. Për fëmijët me aftësi të kufizuara, loja bëhet edhe më e vështirë. Por disa organizata thonë se nuk ka pse të jetë kështu. Ato thonë se hokeji mund t’u mësojë fëmijëve aftësi të rëndësishme për jetën.

16 vjeçari Daniel Sartucci vjen çdo të shtunë në mëngjes në pistën e akullit Cabin John pranë Uashingtonit. Ai nuk e ka problem të zgjohet që pa gdhirë.

“Kënaqem. Takon njerëz që duan të gjejnë shokë të rinj. Dhe të gjithë janë pothuajse njëlloj. Kështuqë askush nuk mund të tallet me të tjerët”.

Para gjashtë vjetësh, kur Danieli u përpoq të hynte në një skuadër sportive ishte ndryshe. Ai ka autizëm dhe nuk u pranua nga asnjë ekip, përveç njërit: Gatopardët e Hokejit Special. Janis Sartucci është mamaja e Danielit.

“Atëherë ai nuk dinte të bënte patinazh në akull. E sollëm këtu, i dhanë patina, veshjet dhe paisjet e duhura dhe i mësuan të rrëshqiste në akull. U apasionua pas sportit”.

Ekipi ku është Danieli është një program hokeji për njerëz me aftësi të kufizuara që nga autizmi e deri tek sindroma Daun. Programi i përbërë nga vullnetarë filloi para gjashtë vjetësh dhe tani ka më shumë se 70 anëtarë, nga pesë deri në 22 vjeç. David Lucia, një kolonel i forcës ajrore në pension, është kryetrajneri.

“Ne vërtet e quajmë veten një skuadër hokeji por në të vërtetë ne jemi një skuadër shoqërore. Këta fëmijë që ndonjëherë injorohen nga ekipet e sportit, vijnë këtu dhe pranohen menjëherë”.

Lucia thotë se hokeji në akull është veçanërisht i përshtatshëm për fëmijë aftësi të kufizuara.

“Pse? Sepse është sport i vështirë. Nëse këta fëmijë mund të mësojnë të bëjnë patinazh në akull dhe të luajnë hokej, ata mund të mësojnë gjithçka”.

Prandaj ekipi i Gatopardëve nuk është thjesht për hokej. Mamaja e Danielit thotë se lojtarët e ekipit të Lucias po mësojnë aftësi jete si përgjegjësi dhe të punojnë bashkë.

“Ndërsa rritej, ai përmirësohej dhe ishte në gjendje të futej në ekipin e shkollës së mesme. Kështuqë të gjitha këto përpjekje i motivojnë fëmijët që të kenë interes për shkollën, gjë që ndihmon për të parë perspektivën e përgjithshme”.

Kujdestarët, që në përgjithësi janë nxënës të shkollës së mesme janë pjesë kritike e programit. Ata i ndihmojnë veç e veç lojtarët. Alex Gandolfo ka ndihmuar vullnetarisht për 6 vjet.

“Ndjehem shumë mirë kur ndihmoj këta fëmijë. Mund ta dallosh përmirësimin edhe në hokej por edhe në sjelljen e tyre”.

Gatopardët janë pjesë e Shoqatës Amerikane të Hokejit Special që ka 80 ekipe në gjithë Shtetet e Bashkuara. Ky grup organizon kampionate vjetore, megjithëse Lucia thotë se theksi kryesor nuk është konkurrenca.

“E rëndësishme është pjesëmarrja. Nuk ka trofe në fund të kampionateve dhe gjithkush merr një medalje dhe gjithkush merr urime”.

Dhe, shton Lucia, të gjithë kënaqen.
XS
SM
MD
LG