Lidhje

Holanda merr kryesinë e Bashkimit Europian


Holanda mori sot zyrtarisht kryesinë e Bashkimit Evropian. Kryeministri holandez Mark Rutte tha se frenimi i fluksit të refugjatëve nga Siria dhe lufta kundër terrorizmit brenda dhe jashtë vendit mbeten sfida të mëdha për Bashkimin Evropian.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe përfaqësues të tjerë të Komisionit shkuan sot në Amsterdam ku u pritën nga kryeministri hollandez Mark Rutte për të shënuar zyrtarisht fillimin e kryesisë hollandeze të BE-së.

Gjatë një konference shtypi në Muzeun Kombëtar Detar holandez, zoti Rutte paraqiti synimet për kryesinë 6-mujore të vendit të tij:

"Gjatë kryesimit tonë, Holanda do të vazhdojë të përqëndrohet te politika e tregut të unifikuar dhe te zbatimi i agjendës strategjike si dhe përparësitë politike që Jean-Claude Juncker paraqiti në korrik të 2014-s. Kjo agjenda do të jetë udhërrëfyesi ynë," tha zoti Rutte.

Ai tha se Bashkimi Evropian përballet tani me një nga sfidat më të mëdha në historinë e tij:

"Frenimi dhe menaxhimi i fluksit të refugjatëve nga Siria kërkon një përpjekje të madhe të përbashkët. E njëjta gjë vlen edhe për luftën kundër terrorizmit të ISIL-it, jo vetëm jashtë, por edhe brenda vendit. Dhe ne përballemi me këto në një kohë që Europa është ende duke u shëruar nga kriza më e rëndë ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore e kur shumë njerëz janë ende pa punë," tha zoti Rutte.

Nga ana e tij, zoti Junker shprehu besim se kryesimi holandez i BE-së do të ishte "i suksesshëm".

Për herë të fundit Holanda e ka mbajtur për kryesinë e BE-së në vitin 2004.

XS
SM
MD
LG