Lidhje

Holanda në gjyq për masakrën e Srebrenicës


Masakra tragjike e Srebrenicës ka dalë përsëri në qendër të vëmendjes pas hapjes së një çështje gjyqësore nga nënat dhe gratë boshnjake. Një ish paqeruajtës holandez thotë se batalioni i tij u përpoq të mbronte viktimat, por nuk kishte mbështetje.

Një ish ushtar holandez, që shërbente si paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Bosnje, tha të hënën se batalioni i tij nuk mund të bënte më shumë për të mbrojtur banorët e Srebrenicës gjatë luftës në Bosnje.

Wim Dijkema ka qënë oficer në batalionin holandez të paqeruajtësve të OKB-së, të caktuar me detyrën e mbrojtjes së një zone të sigurtë për myslimanët boshnjakë në Srebrenicë.

Komentet e tij vijnë ndërkohë që vazhdon një çështje gjyqësore në Hagë pas padisë së ngritur nga nënat dhe gratë e veja të burrave të vrarë gjatë masakrës së Srebrenicës në vitin 1995. Ato kanë hedhur në gjyq qeverinë e Holandës se nuk i mbrojti burrat dhe djemtë e tyre.

Wim Dijkema ka qënë oficer i ngarkuar me marrëdhëniet me shtypin për forcat holandeze në kuadër të OKB-së.

Ai ka vizituar shpesh Bosnjen dhe kryesisht Srebrenicën, si pjesë e një grupi që shkojnë në atë vend për të marrë pjesë në projekte për rindërtimin e shkollave dhe shtëpive. Ai tha se nënat boshnjake gabuan duke ua hedhur fajin ushtarëve holandezë.

“Kemi bërë më të mirën dhe na është premtuar gjatë gjithë kohës se forca të tjera të OKB-së do të na ndihmonin me aeroplanë, artileri dhe gjithçka tjetër. Por asgjë nuk erdhi në ndihmën tonë. Ishim rreth 400 ushtarë, nga të cilët 250 nuk ishin të përgatitur për luftime. Në realitet ne nuk mund të bënim më shumë.”

Ish paqeruajtësi Wim Dijkema tha se ata nuk kishin forca të mjaftueshme për të mbrojtur Srebrenicën nga forcat serbe të Bosnjës.

Gjykatësit holandezë hodhën poshtë përpjekjet e grave boshnjake për të paditur Kombet e Bashkuara, duke thënë se organizata botërore gëzon imunitet në bazë të ligjit.

Ish paqeruajtësi holandez tha se një fitore e grave boshnjake mund të bëhej precedent për situata të ngjashme, si gjenocidi në Ruandë i vitit 1994, ku afro 1 milion viktima u vranë në 100 ditë.

Viktimat e Srebrenicës ishin mes mijëra myslimanëve që u strehuan në kampin e OKB-së, ndërkohë që forcat serbe të komanduara nga gjenerali Ratko Mlladiç e pushtuan zonën më 11 korrik 1995.

Dy ditë më vonë, paqeruajtësit holandezë më të paktë në numër se trupat serbe, u thyen para presionit të ushtrisë së Mlladiçit dhe nxorën nga kampi i OKB-së mijëra familje myslimane.

Forcat serbe të bosnjës i ndanë myslimanët në bazë të gjinisë dhe pastaj filluan ekzekutimin e rreth 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë. Trupat e tyre u hodhën në varre masive, në atë që gjykatat ndërkombëtare e kanë cilësuar si gjenocid.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG