Lidhje

Kryeprokurori Holder mosbindje ndaj Kongresit


Ai akuzohet se nuk u dha ligjvënësve të gjitha dokumentet për një operacion të dështuar qeveritar

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi të enjten për të mbajtur përgjegjës Eric Holder, Prokurorin e Përgjithshëm, post ky i barazvlershëm me ministrin e drejtësisë, për mos-bindje ndaj Kongresit. Ai akuzohet se nuk ka pranuar t’i japë Kongresit dokumente që kanë të bëjnë me një operacion të dështuar qeveritar, si rezultat i të cilit, armët ranë gabimisht në duart e karteleve meksikane të drogës. Votimin në Kongres, shihet nga shumë si një ballafaqim politik mes Dhomës së Përfaqësuesve të kryesuar nga republikanët dhe presidentit demokrat Barack Obama.

Ndërsa ligjvënësit demokratë ishin gati të festonin vendimin e Gjykatës së Lartë që nuk e rrëzoi ligjin e presidentit Obama për kujdesin shëndetësor, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, ra dakord për votimin lidhur me zotin Holder.

“Nuk është e lehtë dhe uroja që të mos vinte deri këtu. Vëmendja jonë është tek punësimi dhe ekonomia. Por Departamenti i Drejtësisë nuk është mbi ligjin dhe kushtetutën, për të cilat jemi betuar t’i mbështesim.”

Ndërkohë që republikanët vunë theksin tek nevoja që Kongresi të ketë qasje ndaj të gjitha fakteve lidhur me operacionin e dështuar, demokratët akuzuan republikanët për vënien në shënjestër me pa të drejtë të Prokurorit të Përgjithshëm në një vit zgjedhor për të fituar pikë politike tek votuesit e tyre dhe mbështetësit e Shoqatës Kombëtare të Armëve që i kishin kërkuar ligjvënësve të votonin për rezolutën.

Shtatëmbëdhjetë demokratë bashkuan votat me republikanët e shumicës për mbajtjen përgjegjës të zotit Holder. Votimi ishte 225 pro dhe 67 kundër. Dhjetëra demokratë braktisën sallën dhe nuk votuan. Udhëheqësja e pakicës Nancy Pelosi reagoi ashpër.

“Sikurse e kam thënë dhe më parë, kjo nuk është aspak më shumë se përpjekje për të dëmtuar Prokurorin e Përgjithshëm të vendit tonë. Hera e parë në historinë e Amerikës që një anëtar kabineti qortohet nga Dhoma e Përfaqësuesve për mosbindje.”

Demokrati Steny Hoyer shprehu zemërimin e tij.

“Motivi politik pas rezolutës është i qartë dhe paraqet rrezik të qartë dhe të pranishëm në këtë vend.”

Votimi në Kongres u bë me kërkesë të ligjvënësit republikan Darrell Issa, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Reforma në Qeveri. Zoti Issa ka zhvilluar një hetim 18 mujor lidhur me operacionin e dështuar të armëve. Autoritet federale lejuan futjen në Meksikë të armëve amerikane, si pjesë e një plani për të identifikuar dhe goditur rrjetet e trafikut të armëve. Dy prej armëve u gjetën në skenën e vrasjes të një agjenti amerikan të kufirit.

Zoti Issa nuk akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm Holder, apo presidentin Obama për dijeni lidhur me operacionin në fjalë, apo mbulim të gjurmëve. Por ai dhe ligjvënës të tjerë kërkuan më shumë dokumeta se sa prokurori ishte i gatshëm të ofronte. Presidenti përdori privilegjin ekzekutiv, për të refuzuar kërkesën për domumente apo hedhur poshtë fletëthirrjet për gjyq.

Vërejtja për mosbindje nga Kongresi ka rëndësi simbolike dhe ndikimi i saj është i kufizuar, pasi vendimi për tçë ndjekur apo jo penalisht dikë varet nga dega ekzekutive.
Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që një nga punonjësit e zotit Holder në Departamentin e Drejtësisë ta vërë shefin e vet para jurisë për gjykim, sidomos pas vendimit të presidentit Obama për të përdorur privilegjin ekzekutiv për dokumentet në fjalë.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një dekleratë pas votimit ku theksonte se Eric Holder ka qënë një prokuror i përgjithshëm i shkëlqyer dhe se votimi ishte një lojë e qartë politike.

XS
SM
MD
LG