Lidhje

Holder komenton për çështjen Snowden


Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Eric Holder thotë se ai do të ishte i hapur për një marrëveshje me ish-kontraktorin amerikan të zbulimit, Edward Snowden, e cila t'i ofronte atij kushte lehtësuese në shkëmbim të pranimit të fajësisë. Ai i bëri komentet dje, gjatë një diskutimi në Universitetin e Virxhinias.

Edward Snowden, është ish-kontraktori i zbulimit, i cili muaj më parë nxorri me mijëra dokumente të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, NSA.

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder i bëri komentet dje në Universitetin e Virxhinias.

"Nocioni i faljes nuk ishte diçka që ne ishim gati ta merrnim në shqyrtim, por siç thashë, nëse ai kthehet në Shtetet e Bashkuara për të deklaruar nëse e pranon fajin, ne do të negocionim me avokatët e tij," tha zoti Holder.

Snowden ndodhet në Rusi, ku presidenti Vladimir Putin i ka dhënë strehim për një vit. Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Snowden kthehet për të dalë para gjyqit.

Snowden tha dje në një bisedë në internet se kthimi në SHBA është zgjidhja më e mirë për atë vetë dhe për qeverinë, por shtoi se kthimi nuk është i mundur sepse si kontraktor i qeverisë, ai nuk mbulohet nga ligjet për mbrojtjen e atyre që informojnë në dobi të publikut.

Departamenti i Drejtësisë e ka akuzuar Snowdenin për vjedhjen e dokumenteve të qeverisë dhe për spiunazh.

"Unë natyrisht që mendoj se me veprimet e tij ai e ka dëmtuar sigurinë kombëtare," tha zoti Holder.

Snowden mendohet se ka vjedhur më shumë se një milion dokumente që tregojnë se Agjencia e Sigurisë Kombëtare, mbante tabulate telefonike për shtetasit amerikanë dhe për disa udhëheqës të huaj, si pjesë e luftës kundër terrorizmit.

Snowden tha se ai beson se NSA ka shkelur Kushtetutën dhe se populli amerikan ka të drejtë të dijë se çfarë bën qeveria.

Një raport i sapo publikuar nga një panel i pavarur i qeverisë amerikane ka arritur në përfundimin se mbledhja në shkallë të gjerë e të dhënave telefonike është e paligjshme dhe se tabulatet duhet të asgjësohen.

Presidenti Barack Obama ka propozuar t'i jepet fund mbledhjes së tabulateve në formën që bëhet tani nga NSA, por thotë se informacioni duhet të mbahet nga një entitet i ri që do të krijohet deri në fund të marsit pas këshillimeve me Kongresin.
XS
SM
MD
LG