Lidhje

Hollande zotohet për sulme ajrore ndaj ISIS-it në Irak


Presidenti francez Hollande, thotë se Parisi do të kryejë së shpejti sulme ajrore kundër objektivave të Shtetit Islamik në Irak. Nga Parisi, korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant na informon se ky njoftim vjen, ndërsa grupi militant publikoi një video të re, ku paraqitet një i huaj i marrë peng.

Presidenti Francois Hollande thotë se Franca ka rënë dakord me një kërkesë nga Iraku, për t'i dhënë ndihmë ajrore në betejën me ekstremistët e Shtetit Islamik.

Në një konferencë shtypi të enjten, zoti Hollande tha se avionët luftarakë Raphale janë dërguar me një mision rekonjecioni mbi Irak, i dyti brenda në jave. Sapo të identifikojnë objekte të Shtetit Islamik, tha ai, Franca do t'i përgjigjet kërkesës irakiane. Dhe kjo, tha ai, do të ndodhë së shpejti.

Në konferencën ndërkombëtare që u zhvillua në fillim të javës në Paris, mbi 12 vende të ndryshme u zotuan se do ta mbështesin qeverinë irakiane dhe do ta luftojnë Shtetin Islamik "me çdo mjet të nevojshëm."

Për vende si Franca, kërcënimi i militantëve islamikë rezonon i fuqishëm. Qeveria vlerëson se rreth 1 mijë njerëz janë larguar nga vendi për t'iu bashkuar Shtetit Islamik dhe lëvizjeve të tjera xhihadiste jashtë vendit. Disa prej tyre janë duke u kthyer.

Zyrtarët kanë thënë edhe më parë, se Franca mund t'i bashkohet Shteteve të Bashkuara në sulmet ajrore kundër grupit militant, "në se është e nevojshme".

Kjo është hera e parë që zoti Hollande konfirmon se kjo do të ndodhë. Por ai përjashtoi mundësinë që Franca të ndërmarrë sulme ajrore ndaj Sirisë.

Duke e bërë një gjë të tillë, tha ai, do të ndihmonim regjimin e Bashar al-Assad-it. Në vend të kësaj, Parisi do të vazhdojë të ndihmojë opozitën e moderuar, në përpjekjet e saj për rrëzimin e regjimit, ose në gjetjen e një zgjidhjeje politike. Ai tha po ashtu, se Shteti Islamik ka qenë i aftë të lulëzojë mes "kaosit" në Siri, pjesërisht, ngaqë komuniteti ndërkombëtar qëndroi "inert" vitin e kaluar, pasi regjimi i Assadit përdori armët kimike.

Të enjten, militantët e Shtetit Islamik publikuan një video të re të një britaniku, i cili e identifikoi veten si gazetar, i veshur njëlloj si pengjet e tjera perëndimore. Grupi tashmë ka vrarë me prerje koke javët e fundit, dy gazetarë amerikanë dhe një punonjës ndihmash britanik.

XS
SM
MD
LG