Lidhje

Hollande: ISIS, kërcënim global


Rreth 30 vende kanë premtuar për të mbështetur Irakun në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik me "të gjitha mjetet e nevojshme", duke përfshirë edhe ndihmën ushtarake. Në një deklaratë pas një konferencë të mbajtur sot në Paris, diplomatët thanë se ndihma duhet të vijë në përputhje me nevojat e shprehura nga autoritetet irakiane. Bisedimet vijnë pas një turne në Lindjen e Mesme nga Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry për të fituar mbështetje ndaj planit të Presidentit Barak Obama për luftën kundër Shtetit Islamik.

Presidenti francez François Hollande thotë se militantët e Shtetit Islamik janë një kërcënim global që kërkon një përgjigje globale.

Zoti Hollande tha sot se “nuk ka kohë për të humbur”, ndërkohë që së bashku me Presidentin irakian Fouad Massoum hapën një konferencë në Paris për paqen dhe sigurinë në Irak.

“Kjo lëvizje terroriste është shtrirë në një territor të tërë, në Irak dhe Siri, pa përfillur kufijtë dhe me ambicien për të krijuar një shtet. Ky është kërcënimi, dhe është global. Prandaj duhet të ketë një përgjigje globale”, tha Presidenti francez.

Në konferencë marrin pjesë zyrtarë të rreth 30 vendeve, si dhe përfaqësues nga Kombet Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Lidhja Arabe. Ky hap i ri është pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një koalicion kundër Shtetit Islamik, i cili ka marrë zona të gjera të Irakut verior dhe perëndimor, si dhe të Sirisë lindore.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, merr pjesë në këtë konferencë pas disa ditë takimesh me udhëheqës në Lindjen e Mesme.

Ai tha dje se një numër në rritje vendesh janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj lufte, përfshirë disa shtete arabe që ofrojnë ndihmë ushtarake dhe sulme ajrore.

XS
SM
MD
LG